​59 fotografi ekspozohen në Prishtinë në nderim të 59 të rënëve në familjen Jashari

 

Në kuadër të aktiviteteve që shënojnë përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është hapur në Prishtinë ekspozitë më 59 fotografi në nderim të 59 të rënëve në betejën e 5,6 dhe 7 marsit të familjes Jashari në Prekaz. Kjo u bë nën përkujdesjen e ushtrueses së detyrës së presidentit të vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se në këtë përvjetor kanë synuar të sjellin fotografi që pasqyrojnë zhvillimet nga lufta e deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

59 fotografi nga shtatë autorë janë ekspozuar sot në sheshin “Skënderbeu”, në kryeqytet, një retrospektivë e zhvillimeve nga lufta deri në shkurtin e vitit 2008.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Vjosa Osmani tha se autorët kanë theksuar detajet e një periudhe të mundimshme në Kosovë.

“Në këtë përvjetor të Epopesë së UÇK-së jemi përpjekur të sjellim një pjesë të vogël të zhvillimeve të shumta të kësaj periudhe, nga autorë të ndryshëm. Dhe nëpërmjet pamjeve dhe ngjarjeve si këto që urojmë t’i takojnë të kaluarës historike. Ne besojmë se nga to nuk duhet të harrojmë por gjithnjë duke ngritur zërin tonë për drejtësi si parakusht për paqe të qëndrueshme. Pra ne patjetër që duam ta ndërtojmë paqen së bashku me shtetin tonë, duke e ruajtur atë cep më cep, duke mos lejuar cenimin e tij, duke e fuqizuar shtetin tonë dhe duke e bërë atë shtëpi të përbashkët për të gjithë qytetarët tanë”, tha Osmani.

Osmani tha se 59 pamjet e paraqitura përmes fotografive, janë një tablo reale e një periudhë të jetuar dhe dëshmi autentike e rrugëtimit për liri.

“Rruga të cilën e kemi kaluar u simbolizua me qëndresën e komandantit Adem Jashari me familje për tu finalizuar në shkurtin e vitit 2008 kur u kurorëzua mundi dhe gjaku i atyre që luftuan e që ranë duke e bërë Kosovën shtet. Kjo rrugë nuk ishte as e lehtë dhe as e shkurtër, përjetuam fillimisht dëbimin nga shtëpitë tona, vrasjet, dhunimet, spastrimin etnik nga atdheu ynë teksa ende jetojmë me pengun e mbi 1600 të zhdukurve me dhunë, Akoma të pagjetur, për të cilët nuk duhet të ndalemi derisa të zbardhet fati i gjithsecilit”, tha ajo.

Ajo tha se brezave të rinj duhet t’u flitet për fëmijët e familjes Jashari dhe fëmijëve të tjerë që ranë për liri.
Në hapjen e kësaj ekspozite mori pjesë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, ish-presidenti Fatmir Sejdiu dhe ambasadorë të vendeve të mike.

Back to top button