​Algjeria nuk e njeh Kosovën, KOK tregon nëse ekipi pati pengesa në kufirin e këtij shteti

Grupi i parë i ekipit të Kosovës ka arritur në Oran të Algjerisë, ku prej 25 qershor deri më 6 korrik 2022 do të mbahen Lojërat e 19-ta Mesdhetare Oran 2022.
Në grupin e parë bëjnë pjesë ekipet e atletikës, boksit, notit dhe badmintonit.
Ekipi u nis nga Prishtina për në Shkup, prej nga u bë udhëtimi me aeroplan direkt për në Oran, së bashku edhe me ekipin e Maqedonisë së Veriut.
Delegacionit, të cilit i printe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti dhe shefja e misionit, Rejhan Halili, kaloi pa ndonjë pengesë. Të gjitha procedurat në aeroportin e Oranit u përfunduan pa pasur ndonjë problem për shkak të mos njohjes së Kosovës nga Algjeria.
Ekipi u vendos në Fshatin Mesdhetar. Ekipi i mundjes arrin sot, ndërsa ekipet e sporteve tjera në ditët në vijim.
Kosova në Oran përfaqësohet me 39 sportistë të 13 sporteve të ndryshme.

Back to top button