​Auditorja e Përgjithshme kërkon t’i ulet paga në 2 mijë e 800 euro

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës zbritjen e pagës së saj nga rreth 3 mijë 800 euro me shtesa, në 2 mijë e 800 euro ose 12 mijë euro më pak në vit.
Kërkesa për caktimin e pagës për Auditorin e Përgjithshëm, e shqyrtuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfer, është vlerësuar nga deputetët e opozitës si pozitive, por kritikuan Qeverinë që nuk po miraton Ligjin për pagat, i cili sipas tyre rregullon pagat e të gjithë punonjësve në sektorin publik.
Me propozim të kryetarit të Komisionit, Armend Muja është shtyrë aprovimi i kërkesës së auditores deri në javën e ardhshme kur të bëhet edhe një analizë e pagave për institucionet e ngjashme sikur ZKA.
“Për shkak të rrethanave ekonomike kam menduar që do të ishte e drejt paga ime të jetë më e ulët dhe në proporcion me pagën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Spanca gjatë paraqitjes së kërkesës në këtë komision parlamentar.
Gjatë raportimit, Spanca ka theksuar se me marrjen e pozitës së re ka marrë vendim për uljen e pagave për disa pozita, derisa pozitën e këshilltar për media ka shuar.
Deputeti Eman Rrahmani nga VV ka përgëzuar Spancën për kërkesën e saj sa i përket zbritjes së pagës.
“Paga e lartë që ka qenë deri tash për këtë pozitë, vërtet ka qenë pagë e lartë”, ka thënë ai.
Sa përket kësaj kërkese për pagat e larta, shqetësim lidhur me këtë ka pasur deputeti, Mërgim Lushtaku nga PDK, i cili kërkoi miratimin e ligjit të pagave, që siç ka thënë ai e rregullon këtë fushë.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që mos të zbriten edhe pagat e auditorëve, krahas uljes së pagës së auditorit të përgjithshëm për të cilën ka theksuar se duhet të jetë konform pagës në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti Pal Lekaj nga AAK-ja, ka thënë se është një shembull i mirë kur zyrtarët publik kërkojnë zbritjen e pagave, teksa ka shtuar se projektligji për paga që qëndron në sirtarët e Qeverisë, e rregullon këtë çështje, por që duhet të miratohet.
“Me një individ ne asgjë nuk mund të bëjmë. Por qeveria duhet sa më parë ta miraton ligjin e pagave. Kjo është një praktikë e mirë nga auditorja, por në përgjithësi duhet të ketë një barazi mes sektorëve dhe pozitave”, ka thënë ai.
Duke iu përgjigjur kryetarit të Komisionit, Armend Muja për audutimin e RTK-së, Spanca ka thënë se tash e tutje edhe do të auditojë edhe pasqyrat financiare të RTK-së.
Për këtë, ka reaguar deputeti Pal Lekaj, i cili ka thënë se nuk duhet bërë presion transmetuesit publik.

Back to top button