​Balje: Ne një herë kemi dhënë tokën për të qenë më afër Evropës

Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje nuk është pajtuar me nenin e Kodit Civil, ku përcaktohet bashkëjetesa mes gjinisë së njëjtë.
Madje, kjo sipas saj po bëhet për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, duke kujtuar njëherësh problemin e demarkacionit me Malin e Zi, për liberalizimin e vizave. Për këtë i ka reaguar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Balje ka thënë se përkrah pesë librat e Kodit Civil, por jo edhe nenin ku flet për bashkëjetesën e personave të gjinisë së njëjtë.
“Ne një herë kemi dhënë tokën për me qenë pjesë e Evropës, por nuk jemi. Edhe nëse ne tash duhet të votojmë këtë për të qenë më afër Evropës, unë mendoj që nuk është në rregull. Sepse ne jetojmë në Kosovë dhe komplet edhe shqiptarët edhe boshnjakët dhe të tjerët është kundër principit, traditës dhe kulturës që ne kemi sot nëpër shtëpia”, ka deklaruar Balje.
Për këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ia kujtoi votën e saj pro këtij projekti.
“Kur po thoni zonja deputete që kemi dhënë tokë për të hyrë në Evropë dhe vetë ia keni dhënë votën atij projekti, a e keni ditur atëherë apo deri tash ju ra ndërmend. Ju lutem”, ka deklaruar ai.

Back to top button