​Berisha: Lulzim Basha nuk mund t’i rezistojë revolucionit

 
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i ka bërë thirrje Edi Ramës që të heq dorë nga çdo lloj përpjekje për t’i garantuar, siç tha ai, mbijetesë pengut të vet. Pas shkarkimit të Lulzim Bashës, ai deklaroi se ky i fundit është kufomë politike e kryeministrit të Shqipërisë.
Pas përfundimit të votimit të fshehtë për shkarkimin e kryetarit të PD-së, Berisha theksoi se sot demokratët kanë nisur misionin kundër narko-shtetit, e rivendosjes së të drejtës të shqiptarëve për të drejtën e lirë.
“Për këtë ngjarje më e veçanta, më e jashtëzakonshmja në historinë e lirisë së shqiptarëve në kuptimin që ky kuvend ishte vepër e anëtarëve të lirë të PD-së, i pari i këtij lloji në historinë e pluralizimit në Shqipëri, por mundet edhe në Evropë dhe botë. Triumfi i lirisë që gufon nga idealet dhe zemrat e anëtarëve është teriumfi më madhështor, është triumfi më magjik, më mahnitës i të gjithë triumfeve të tjera. Sot në tetë orë pa pushim mbi 4934 delegatë firmosën, vendosën firmat e tyre në këtë monument madhështor të rikthimit të vendosjes së pluralizmit politik”, ka deklaruar Berisha.
Sot në stadiumin “Air Albania”, Berisha shtoi se është zhvilluar ndeshja më e mahnitshme mes lirisë dhe të shkuarës.
Ai derisa është pyetur se kur do të shkojnë në selinë e Partisë Demokratike, theksoi se ajo nuk është seli e pengjeve.
“Peng Basha, nuk do doja të flisja fare për të sot. I rrethuar me batalionin e policisë së Edi Ramës, sepse çfarë, mund të flasësh për të. Basha tregoi se është një kufomë politike e asgjë më shumë….Selia është një dhe vetëm një, selia e demokratëve ajo që ndodhet aty. Në selinë e PD do shkojmë në momentin më të parë që do vendosim. Ajo nuk është seli e pengjeve, nuk është seli e rrethuar me blindat dhe bandat e Edi Ramës. Edi Ramës i them hiq dorë nga çdo lloj përpjekjeje për t’i garantuar mbijetesë pengut tënd sepse në mënyrë absolute hoqe apo nuk hoqe dorë ky revolucion do të kthehet tek ti Edi Rama”, shtoi Berisha.
Derisa në selinë e PD-së në Shqipëri po mbahet mbledhja e kryesisë së ftuar nga Lulzim Basha, lideri historik i kësaj partie, Berisha theksoi se nuk do të ketë mundësi që i njëjti t’i rezistojë këtij revolucioni.
“Po lëre atë punë, çfarë rezistence. Revolucionit nuk i reziston askush”, ka përfunduar shkurt Berisha.
Kuvendi Kombëtar ka shkarkuar Lulzim Bashën me 446 vota për, 36 kundër dhe nëntë të tjerë të cilët në votën e tyre të fshehtë e kanë bërë të pavlefshme fletën e votimit./KP

Back to top button