​Çfarë presin qytetarët gjatë vitit 2021?

 

Viti i kaluar po konsiderohet si gjendje lufte për qytetarët e vendit. Ai po del të jetë shumë i vështirë, si shkak i përballjes me COVID-19. Ky infeksion ua ndryshoi edhe festën, ani pse thanë se kanë qenë pranë familjeve të tyre. Megjithatë, pritshmëritë e tyre janë shumë të mëdha. Madje, shpresat i mbajnë te ndryshimet politike, me mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Por, ka të tillë që nuk kanë pritshmëri të madhe për këtë vit.

Ramadan Sadikaj, ka ardhur nga Shqipëria për herë të parë në Prishtinë, për të festuar Vitin e Ri. Ai tha se ky vit ka qenë me shumë sfida, ndërkohë shton se pret përparime të mëdha për Kosovën.

“Në përgjithësi ka qenë vit me pasoja, me pritshmëri jo të duhura për shkak të sëmundjeve, edhe tërmetin që e kemi përjetuar në Shqipëri. Megjithatë shyqyr që jemi shëndosh dhe lutem për një vit më të mbarë… Jemi për herë të parë në Prishtinë me familje… Prej këtij viti të ri nga Kosova presim të njifet në OKB, marrëveshjen reciproke me Serbinë, na intereson edhe neve edhe juve, dhe një ekonomi për shqiptarët kudo që janë, në të gjitha viset shqiptare”, thotë ai.

Ndërsa, Ramadan Brahimi, i cili jeton në Kosovë tha se festa këtë vit ishte e mirë, por që brenda të mëdha u la përballja me COVID-19.

“Nuk është keq diçka, por jo si viteve të tjera jo. Ka qenë vit i vështirë, po shihet në tërë globin, kështu që të presim të ardhmen diçka më të mirë. Ndoshta po shpëtojmë nga virusi… Gjatë këtij viti presim shumë sene, për shkak se nuk kemi mujt gjatë vitit të kaluar me realizuar… Papunësi e madhe, nuk po di çka me thënë përpara, të gjitha. Lutem që ju të rinjtë pritni diçka më të mirë, përndryshe po shihet”, thekson ai.

E Fadil Mehmeti e quan “luftë psikologjike”, vitin që shkoi. Madje, ai tha se nuk pret shumë nga ky vit.

“Bukur shumë, në familje si çdoherë. Mirë ka qenë edhe këtë vit festa si festë po mendoj, por viti që shkoj nuk ka qenë mirë. Ka qenë një luftë psikologjike, luftë mos të them speciale ka qenë kjo. Falë Zotit ne që kemi mbet, mirë kemi shpëtua, ata që kanë vdek, kanë vdek. Po shpresojmë këtë vit dashtë Zoti me u hjek sa më shpejt edhe lirohet krejt bota prej kësaj lufte psikologjike që e kemi edhe në kry…Presim tash edhe disa ndryshime politike me u bo, që po jepen shumë premtime, e punë shumë pak, premtime sa të duash. Shohim, nuk presim edhe shumë”, shtoi ai.

Bekim Hyski, i cili ka ardhur për pushime në Kosovë tha se gjithmonë është me mendje në vendlindje, prandaj shpreson që viti 2021 të sjell ndryshime për vendin.

“Unë jetoj jashtë që 22 vite, kësaj here ka qenë pak më vështirë për shkak edhe situatës, shpresoj që vitin tjetër dalim më mirë se sa këtë vit… Unë jetoj jashtë, jetoj në Gjermani që shumë vite, por zemrën e kemi në Kosovë edhe ne që jemi jashtë. Shpresoj që qeveria e re që do të vjen, pavarësisht cila, duhet të bëjë për rininë më shumë”, shtoi ai./kp

Back to top button