​Dëshmitari i gjashtë në gjykimin ndaj Mustafës thotë se i ka takuar dy Cala

Dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafës, ka thënë se pasi është liruar nga objekti në Zllashë, ku pretendon të jetë mbajtur, në shtëpinë e tij kanë qenë disa anëtarë të njësisë BIA. Ai ka thënë se njëri nga ta është prezantuar si Cali, por sipas tij nuk përputhet me Calin për të cilin ka thënë se ka dëgjuar më pas se ka qenë në krye të kësaj njësie.
Prokurori Cezar Michalzuk e ka pyetur dëshmitarin e mbrojtur, i cili mban kodin 4669, për njohuritë e tij rreth njësisë BIA dhe komandantit të saj.
Dëshmitari ka thënë se për njësinë BIA ka mësuar më vonë, sipas tij pasi ka dorëzuar armën të cilën e kishte pasur që një tjetër person ia kishte lënë në shtëpi.
Ai ka thënë se dy javë pas lirimit nga objekti ku thotë të jetë mbajtur në Zllashë, njësia BIA ka qenë në shtëpinë e tij.
“Kanë ardhur disa persona të ushtrisë së Zllashit në oborrin tim, kanë qëndruar, u kam kthyer ushqim, me ngrënë e me pi, e më kanë thënë që po shkojnë në Prishtinë, thanë jemi BIA, aty më kanë treguar për herë të parë kush është dhe emri i asaj njësie çka është se nuk e kam ditë, kanë thënë që përgjegjës ishte komandant Cali. Por aty ishin dy Cala, një Cal që ishte te unë, atë e kam njohur sigurt edhe më herët ka qenë një gjeneratë para meje në ushtrime, dhe e kam vërejtur atje që ka qenë në përfundim të ushtrimeve të një grupi para neve që ka qenë, dhe ky Cali që po e përmendi unë, ky që ishte në oborr timin ai ka qenë një person shtatshkurtër si i shëndoshë pak, 1 metër e 60 ka qenë i gjatë, 65, nuk përshtatet me këtë Calin që tani vonë që e kam marrë vesh që ka qenë përgjegjës për grup atje diçka. Realisht i bjen që kanë qenë dy persona me emrin Cal, unë nuk dijsha cili është, as nuk më interesonte por ai vet e përmendi tha Cali është përgjegjës, në realitet ky që folke ishte vet Cali, mirëpo ishte një Cal tjetër”, ka thënë dëshmitari.
Ai ka thënë se një person nga ky grup i është prezantuar si Cali, por që i ka thënë se përgjegjës për BIA është një tjetër person po ashtu me emrin Cali.
Prokurori, në përpjekje për të qartësuar deklaratat e dëshmitarit ka vazhduar ta pyes atë për pamjen e komandantit të BIA-s, i njohur si Cali.
“Po e kam marrë vesh tash vonë kush është, kush ka qenë, mund ta përshkruaj është ky me syze, apo? Unë nuk e di kush ka qenë, unë e kam marrë vesh tani vonë për atë arsye në momentin kur e kam marrë vesh kush ka qenë përgjegjësi i BIA-s mua më kujtohet ai tjetri që e ka emrin Cal që e kam takuar unë, dhe që nuk përputhet me të fare, ai i njëjti është Cal por edhe ky është Cal. Arsyeja, e kam kuptuar tash vonë se cili person ka qenë i BIA-s edhe pse ai më ka treguar, ai Cali tjetër për këtë Calin por unë nuk e dija nuk më ka interesuar a po kupton. Tash duke e marrë për bazë pamjen e tij me këtë tjetrin si duket është dallimi, realisht ekzistojnë dy Cala”, ka thënë ai.
Komandantin e BIA-s, Calin, dëshmitari ka thënë se e ka parë një herë në kazermën e ushtrisë në fshat, emrin e të cilit nuk e ka përmendur, dhe njëherë në kazermën e UÇK-së te Rruga B në Prishtinë.
“Personi që është prezantuar tek unë Cali nuk përputhet me personin që në realitet është paraqitur tani, edhe në bazë të librave që përshkruhet edhe në bazë të atyre që kam dëgjuar që është ky”, ka shtuar dëshmitari.
Derisa është pyetur për periudhën e lirimit nga objekti ku pretendon të jetë mbajtur, dëshmitari 4669 ka thënë se para tij është liruar një person ndërsa pas tij ka mbetur edhe një person i ndaluar në ahur.
Me personin që është liruar para tij, dëshmitari ka thënë se është takuar dy herë më vonë, sipas tij, ai ka qenë i interesuar që të lajmërojnë në organet e sigurisë dhe drejtësisë ngjarjet që u kanë ndodhur në Zllashë, por ka thënë se ky nuk ishte i interesuar për një gjë të tillë meqë nuk u besonte institucioneve të atëhershme shtetërore.
“E kam parë pas disa viteve edhe më ka pyetur, dy herë jemi takuar me të dhe dy herë më a pyetur se a do të vazhdojmë të tregojmë se çka ka na ka ndodhur neve. I kam thënë se ende nuk është koha dhe nuk është koha e nuk vendi, edhe ai e ka kuptuar aty se pse. Për shkak se i thash ti nëse i raporton ata i kanë të gjitha institucionet në mbikëqyrje të vet”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.
Një pjesë e seancës ka vijuar e mbyllur për publikun, prokurori ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin e gjashtë dhe dëgjimi i tij do të vazhdojë nesër me pyetjet e avokates së viktimave.
Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Back to top button