​Gërvalla thotë se Berishaj nuk mund të shkarkohet në bazë të informacionit të një mediumi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka deklaruar se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, vazhdon të mbajë pozitën e tij, meqë sipas saj, deri tani nuk ka ndonjë indikacion se akuzat kundër tij mund të jenë të bazuara. Gërvalla ka thënë se nuk mund të shkarkojnë një ambasador në bazë të informacioneve të një mediumi.
Ajo ka thënë se Berishaj ka qenë në ministri dhe kanë biseduar rreth lajmeve se i njëjti është i përfshirë në një aferë korruptive, ndërsa ka shtuar që këtë vazhdojnë ta konsiderojnë si kampanjë bazuar në një shkrim të një mediumi slloven.
“E kam një deklaratë të gjatë disa faqëshe të ambasadorit Berishaj me shkrim. Ambasadori Berishaj ka qenë në ministri kemi biseduar gjerë e gjatë rreth asaj që ne ende e konsiderojmë si kampanjë të bazuar në një shkrim të një medium slloven i cili pastaj ka marrë dhenë. Unë kam biseduar me autoritete të shteteve të ndryshme lidhur me këtë dhe deri në këtë moment që ne po flasim nuk ka asnjë indikacion që akuzat e përmendura në atë raport të atij medium mund të ketë diçka të vërtetë në të”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka theksuar se ambasadori nuk mund të pezullohet apo shkarkohet në bazë të një informacioni të një mediumi.
“Dua të jem shumë e sinqertë, ambasadori nuk pezullohet apo shkarkohet në bazë të një informacioni të një mediumi pa pasur informacione të tjera. Ju e patë edhe prokuroria e Malit të Zi e ka dhënë një informacion që kanë pasur hetime edhe ka rezultuar që nuk ka asnjë vepër penale të cilën mund ta ketë kryer ambasadori Berishaj, prandaj ky është pozicioni ynë deri tani. Në mungesë të qoftë një indikacioni të vetëm kundër ambasadorit Berishaj, ambasadori Berishaj gëzon besimin tonë dhe vazhdon punën e tij në Kroaci ashtu siç ka shkuar”, ka theksuar ministrja.

Back to top button