​Gërvalla zhvilloi një sërë takimesh me homologët e saj në Antali

Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit për Diplomaci në Antalia të Turqisë me moton “Rikodimi i Diplomacisë”,  zhvilloi një sërë takimesh me homologë të saj të ndryshëm.
Ministrja Gërvalla në takim me Mevlut Çavushoglu, theksoi qëndrimin e vendosur të Kosovës kundër agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe e falënderoi ministrin e jashtëm turk për deklaratën e vendosur të presidentit Recep Tayyip Erdogan në mbështetje të anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në NATO dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
Në takim u bisedua edhe për forcimin e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme, implikimet në Kosovë të zgjedhjeve të Serbisë në prill të këtij viti, si dhe rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
Në takim me ministrin e Jashtëm të Somalisë, Abdisaid Muse Ali u bisedua rreth realitetit të ri të krijuar në Evropë pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe implikimeve të kësaj situate në Ballkan dhe Kosovë, si dhe mundësive të bashkëpunimit në fushën e edukimit, me theks të veçantë te programet online të studimit.
Gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Bruneit Dato Haji Mohd, ministrja Gërvalla pasqyroi gjendjen në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor pas situatës së re të krijuar në Evropë pas invazionit rus në Ukrainë duke shtuar nevojën për të gjetur mbështetje më të gjerë për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës në kontinentin e Afrikës.
Gërvalla u takua edhe me ministren e Punëve të Jashtme të Senegalit, Aissata Tall Sall dhe ministrin e Jashtëm të Bahrejnit, ku u diskutua mbi bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe turizmit, si dhe bashkëpunimin në kuadër të Akademisë Diplomatike./21Media

Back to top button