​Gjyqtari thotë se synojnë sa më pak seancë të mbyllura në rastin Gucati- Haradinaj

Në seancën e sotme gjyqësore ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kryetari i trupit gjykues Charles L. Smith ka paralajmëruar se nuk do të pranojnë në prova dokumente që janë vlerësuar si redaktime të tepërta.
Në seancën e parë, kryetrari i trupit gjykues ka thënë që synojnë numër të vogël të seancave të mbyllura për publikun duke shtuar që ky panel udhëzohet nga fakti që gjykimi të jetë publik sa më shumë që të jetë e mundur.
“Nuk do të pranojmë në prova dokumente të cilat janë konsideruar nga paneli si redaktime të tepërta dhe të cilat mund ta lënë publikun e përgjithshëm në një gjendje pa njohje dhe dijeni sa i takon informacionit që është i rëndësohem. Gjithashtu, sesionet private dhe të mbyllura do të përdoren me pakicë dhe ndërkohë avokatët udhëzohen që të planifikojnë pyetjen e tyre të drejtpërdrejt ose tërthortë me kujdes dhe që të shmangin përsëritjen e gjërave”, ka thënë Charles L. Smith.
Ai ka shtuar se materiali që pretendohet të jetë nxjerrë e botuar në mënyrë të paligjshme pretendohet të përmbajë emra të individëve.
“Dua të nxjerr në pah disa çështje shqetësuese për panelin, materiali që pretendohet që të jetë nxjerrë e botuar në mënyrë të pa ligjshme, pretendohet që të përmbajë emrat e individëve të ndryshëm që lidhen me hetimet nga ZPS, deri në kohën që paneli të përcaktojë nëse ky material është konfidencial në natyrë, palët nuk duhet t’i referohen një dokumenti në seancë publike, si rezultat neve presim që palët të kenë dhe ushtrojnë kujdesin e nevojshëm sa u takon emrave dhe hollësive të cilët kanë të bëjnë me individë, dhe nëse është e nevojshme palët mund të kërkojnë seanca private nëse emri ose funksioni i individëve të tillë mendohet se është i rëndësishëm për një çështje që duhet të ngremë ose e parashtim që duam të bëjmë”, ka shtuar kryetari i trupit gjykues.
Seanca e parë gjyqësore ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt është mbajtur sot në Dhomat e specializuara në Hagë. Dy ish-krerët e Organziatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm.
Në këtë seancë, nga prokuroria janë paraqitur si prova video-konferencat e Gucatit dhe Haradinajn në të cilat janë publikuar dokumentet.
Ish-krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Back to top button