​Haxhiu: Prokuroria duhet të veprojë në zbardhjen e rastit Dehari

 

Lëvizja Vetëvendosje ka shfaqur shqetësimet e saja të vazhdueshme për mos zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit.

Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e kësaj partie, Albulena Haxhiu, ka thënë se po bëhen katër vjet pas vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deri më tash nuk është bërë asgjë për zbardhjen e këtij rasti.

Dëshmitarët e rastit Astrit Dehari janë në arrati, dhe nuk është ndërmarrë asgjë. Prokuroria duhet të veprojë dhe të merret me të gjitha dyshimet”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për media.

Ndërkohë që presidenti Hashim Thaçi ka falur një dëshmitar të rastit Dehari, Haxhiu ka bërë të ditur se Lëvizjes Vetëvendosje i është mohuar kërkesa për qasje në dosjen e dëshmitarit.

Ajo ka shprehur dyshimet për faljen e këtij dëshmitari, pasi sipas saj, ka raste të tjera të shumta që bëjnë kërkesa për falje.

Presidenti më 27 korrik të këtij viti ka shpallur dekretin për faljen e shtatë të dënuarve, në mesin e të cilëve edhe Luz Ndue Allakaj, i dënuar për vrasje të dyfishtë, ku njëra prej vrasjeve ishte e një i mitur 13-vjeçar.

Astrit Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej si i dyshuar lidhur me rastin e sulmit që kishte ndodhur ndaj Kuvendit te Kosovës.

Fillimisht vdekja e tij u cilësua si vetëvrasje, por më vonë pas ekspertizës së ekspertëve nga Zvicra u hodhën dyshime se ai mund të jetë vrarë.

Back to top button