​Haxhiu: Shkelët procedurat për shkarkimin e bordit të RTK-së, Konjufca i përgjigjet

 
Pas shkarkimit të anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka reaguar duke thënë se është bërë shkelje e procedurave ligjore.
Sipas tij, propozimi i komisionit ka qenë për bordin dhe jo për anëtarët veç e veç, siç kanë votuar për shkarkimin e tyre.
“Ju dhe deputetët që votuat tani sapo bëtë shkeljen më të madhe procedurale dhe ligjore. Propozimi i komisionit ishte për bordin, për përgjegjësitë e bordit, asnjë arsyetim për asnjë prej anëtarëve të bordit që vendosët t’i shkarkoni një nga një nuk ka qenë pikë e rendit të ditës, as nuk ka pasur arsyetim për asnjërin prej këtyre anëtarëve të bordit që sapo i shkarkuat e propozimi ishte për shkarkimin e bordit të RTK-së, jo për shkarkimin individual me arsyetimet e veçanta për gjithsecilin. Kjo është shkelje procedurale dhe shkelje ligjore, të cilën po besoj të sapo shkarkuarit do ta adresojnë në rrugët ligjore”, ka thënë Haxhiu.
Atij i ka reaguar kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i cili ka thënë se kushdo që mendon që ka parregullsi t’i ndjek të gjitha procedurat ligjore.
“Të gjithë ata që mendojnë që procedura ka pasur shkelje apo parregullsi mendoj që i keni të gjitha instrumentet ligjore në dorë që t’i ndiqni, përfshirë këtu edhe ata që mendojnë që janë shkarkuar padrejtësisht si anëtarë të Bordit të RTK-së”, ka thënë Konjufca.
 

Back to top button