Hoxhaj premton që Prizrenin do ta bëjë zonë ekonomike
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka takuar sot përfaqësues të bizneseve në Prizren, para të cilëve ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes.
Hoxhaj ka thënë se PDK-ja i sheh bizneset si bosht të zhvillimit ekonomik dhe me Planin e Rimëkëmbjes parasheh fond prej 1 miliard eurosh, ku 500 milionë euro do të jenë të dedikuara vetëm për bizneset. Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij si kryeministër, paga minimale do të rritet në 300 euro.
Para përfaqësuesve të bizneseve në Prizren, Hoxhaj e ka përmendur edhe Gjykatën Komerciale, të cilën PDK-ja ka premtuar se do ta themelojnë në 100 ditshin e parë të qeverisjes.
“Përveç lehtësirave të tjera fiskale, masa e dytë është të kemi një lloj përshkallëzimi të Tatimit në të Ardhurat e Korporatës. Prej 10 në 8, 7, 5 dhe 0, varësisht prej numrit të investimeve dhe të punëtorëve do të ulet edhe tatimi i korporatës në të ardhura. Së treti, e kemi ndërmend të themelojmë një Gjykatë Komerciale, e cila ka qenë kërkesë e vazhdueshme e juaja”, ka thënë tutje ai.
Hoxhaj është zotuar se ndër vendimet e para të tij kryeministër do të jetë shpallja e Prizrenit zonë ekonomike.
“Gjatë jemi angazhuar për çështjen e zonës industriale, po është shembull konkret që atëherë kur PDK nuk është në pushtet në qendër dhe në pushtetin lokal, projektet e tilla mbesin. Po të ishte Shaqir Totaj kryetar i komunës prej 2017 dhe po të ishte kryeministri i PDK-së, ju sot nuk e kishit pas temë këtë që e keni që disa vjet. Unë ju premtoj që do të jetë ndër vendimet e para që do të marrim si qeveri e ardhshme e Kosovës”, ka thënë ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?