Infermierët paralajmërojnë veprime sindikale në kundërshtim të Ligjit të pagave
Ka përfunduar takimi i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës i cili u mbajt me institucionet dhe shoqatat e profesionistëve shëndetësor.
Në këtë takim të gjitha institucionet, OIK dhe Shoqatat e profesionistëve shëndetësor u dakorduan dhe nënshkruan një komunikatë të përbashkët për medie përmes së cilës deklaruan që do mbështeten të gjitha masat dhe veprimet sindikale të cilat do të ndërmirren nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës lidhur me kundërshtimin e diskriminimit në koeficient të pagave dhe Ligjin e Pagave.
Sindikata e Infermierëve përmes një postimi në ”Facebook”, ka theksuar se për datën, kohën dhe modalitetet e veprimeve dhe masave sindikale, paraprakisht do konsultohen institucionet nënshkruese të komunikatës së përbashkët, OIK dhe Shoqatat e profesionistëve shëndetësor.
”Sindikata e Infermierëve të Kosovës gjatë ditës së nesërme do konsultoj organet e saja, Kryesinë, Këshillin Drejtues dhe Këshillin për Protesta dhe Greva në mënyrë që gjatë ditës së Mërkurë 16/02/2022 t’ua dërgoj propozimin e veprimeve dhe masave sindikale OIK dhe Shoqatave të profesionistëve”, thuhet në njoftim./21Media