​”InstaBuilt” nis shtëpitë modulare për në ShBA, “lokomotivë” për zhvillimin e Kosovës

 

Sot niset kontingjenti i parë i katër shtëpive modulare për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kompania “BP Home Invest”, së bashku me fabrikën InstaBuilt, është e para në Evropë e certifikuar për shtëpi parafabrikat që eksporton për SHBA, Texas.

Drejtori i “InstaBuilt”, Mentor Pllana tha se kompania e tyre do të jetë ashtu si “toyota”, “microsoft”, si shembull për zhvillimin e vendit.

“Për 30 vjet na kanë definuar tri fjalë: liri, demokraci dhe pavarësi. Për 30 vjet do të na definojnë tri fjalë: bashkëpunim, inovacion dhe globalizim. Sot kompania ka kapacitet të prodhojë 500 shtëpi për një ndërrim, apo 1000 shtëpi për dy ndërrim. Ndërsa për vitin 2023 synojmë që të arrijmë 4000 shtëpi për një ndërrim”, tha ai.

Pllana ka shtuar se “instabuilt” është lokomotivë për zhvillimin e Kosovës.

“Do të ndërtojmë shtëpitë tona në kompanitë tona. E po ashtu do të kemi mundësi të kontrollojmë ato përmes një aplikacioni”, ka shtuar ai.

Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari theksoi se resursi njeri është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik në Kosovë. U zotua se do të rishikojë të gjitha ligjet, me qëllim të përkrahjes së industrisë.

“Unë si ministre përgjegjëse jam e përkushtuar për te sjell në pah resurset që kemi në Kosovë. E di që biznesi është sfiduar shumë. Kam trashëguar sistem i cili nuk ka plane të qarta për ndërmarrësi. Unë do te mundohem të vendosi politika të qarta dhe sjelli sa më shumë eksporte, meqë ka më shumë import. Tutje, do të iniciojmë politikën kombëtare për investime. Po ashtu edhe investitorët të vijnë në Kosovë dhe të investojnë”, ka deklaruar ajo.

I pari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi u shpreh krenar që Kosova po nis një produkt të ri drejt ShBA-së, duke shtuar se komuna që udhëheq ofron energji për krejt vendin.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se është mirë që sa më shumë të shtrihet bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E, Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se Kosova nuk ka komoditet që të eksportojë njerëz, por të ketë inovatorë në vend.

Back to top button