​Ismet Krasniqi pranon zyrtarisht detyrën si president i KOK-ut

 
 
Ish-presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani, zyrtarisht ia ka dorëzuar detyrën e presidentit të KOK-ut Ismet Krasniqit.
Hasani, i cili ka qenë në udhëheqje që nga viti 1996, i ka uruar Krasniqit sukses në mandatin e tij katër vjeçar.
“Ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese. Uroj që përkujdesi dhe përkushtimi juaj të jetë maksimal. Stafin që është këtu e kam lutur që të angazhohet edhe më shumë se sa me mua, vetëm e vetëm që kjo foshnje (KOK-u) gjashtë-vjeçare të rritet gradualisht”, ka thënë Hasani.
Nga ana e tij, Krasniqi falënderoi Hasanin për punën e bërë, duke i vlerësuar lartë fjalët e tij.
“Këto fjalë që mi thatë nuk do t’i harrojë kurrë dhe u premtoj se do të japim maksimumin për t’i mbajtur. Është e vëretetë që Komiteti Olimpik i Kosovës është një foshnje, por ne do të angazhohemi për ta rritur dhe për ta bërë ‘burrë’”, ka thënë Krasniqi.
Të pranishëm në ceremoninë e dorëzim pranimit ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj dhe nënpresidenti Gazmend Maxhuni.
Krasniqi u zgjodh president i ri në Asamblenë Zgjedhore, të mbajtur më 25 mars 2021./21Media

Back to top button