​Kërkohen kushte më të mira për infermierët

Më 12 maj, festohet Dita Ndërkombëtare e Infermierëve. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës në këtë ditë ka kërkuar që të sigurohen kushte më të mira pune, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë në punë.
“Përkundrazi, me zvogëlimin e numrit të vdekjeve nga Covid-19, ulet edhe vëmendja e mediave dhe politikanëve për rolin e atyre që rrezikuan jetën gjatë pandemisë. Ne u bëjmë thirrje sërish politikëbërësve të njohin punën vendimtare të infermierëve dhe të sigurojnë paga dhe kushte më të mira pune, duke përfshirë shëndetin dhe sigurinë në punë”, thuhet në komunikatën e FSSHK-së.
Sipas FSSHK-së, kompleksiteti i punës së profesionistëve shëndetësor kërkon më shumë ekuilibër dhe barazi në strukturat e pagave.
“Intensifikimi i punës gjatë pandemisë, i shkaktuar nga nivelet e pamjaftueshme të personelit dhe mungesa e investimeve të vazhdueshme, rriti stresin tek infermierët dhe ndikoi në mirëqenien e tyre mendore. Në këtë ditë feste i bashkohemi motos së Federatës Evropiane të Sindikatave në të cilën FSSHK është anëtare fuqiplotë”, thuhet në komunikatën e FSSHK-së./21Media

Back to top button