​Komisioni për Integrime Evropiane miraton amendamentin e Projektligjit për IPA 2016

Komisioni për Integrime Evropiane me nëntë vota pro miratoi Projektligjin për ratifikimin e “Amendamentit nr.1 të Marrëveshjes Financiare për IPA 2016, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”.
Këtë projektligj e ka prezantuar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, i cili tha se ky amendament mundëson shtyrjen e afatit nga 2023 në 2024 për ekzekutimin e projekteve, të cilat sipas tij kanë ngecur për shkak të pandemisë COVID-19.
Ani pse kanë mbështetur këtë projektligj, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) patën kritika.
Blerta Deliu-Kodra nga ky subjekt kritikoi zëvendëskryeministrin Bislimi për siç tha ajo, mosrritje të buxhetit për departamentin e integrimeve evropiane.
Derisa deputetja Deliu-Kodra tha se me projektbuxhetin e vitit 2022 është rritur buxheti për Zyrën e Kryeministrit.
Komisioni për Integrime Evropiane miratoi Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.
Po ashtu ky Komision miratoi edhe Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendi, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Back to top button