​Komunat e gatshme për të bërë vaksinimin anti-COVID

 

Javëve të fundit në Kosovë janë shtuar ndjeshëm shifrat e të prekur me koronavirus, e si pasojë e kësaj nevoja për vaksinë vetëm sa po shtohet. Megjithatë, Kosova ende vazhdon të mos ketë asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19 për qytetarët e saj.

Përkundër kësaj nga komunat e Kosovës thonë se tashmë kanë bërë përgatitjet e nevojshme që posa të vijë kjo vaksinë në Kosovë, menjëherë të nis vaksinimi i qytetarëve. Madje, komuna e Gjilanit ka nisur edhe me regjistrimin e qytetarëve të moshuar që do marrin këtë vaksinë.

Kryetarët e komunave të Kosovës po paralajmërojnë edhe shfrytëzim të hapësirave tjera krahas Qendrave Kryesore të Mjekësive Familjare, në rast se vjen deri tek vaksinimi masiv.

Nga komuna e Prishtinës e cila ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus në nivel vendi, shprehën të gatshëm për të nisur vaksinimin.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Bujar Gashi thotë se tashmë sistemi parësor shëndetësor në kryeqytet ka bërë të gjitha përgatitjet dhe kanë trajnuar stafin mjekësor për të dhënë vaksinën anti-COVID.

Meqenëse tani në mars pritet në Kosovë të vijnë mbi 33 mijë vaksina që kryesisht do vaksinohet profesionistët shëndetësor, Gashi thotë se ardhja pjesë-pjesë e vaksina do t’i ofrojë komoditet për dhënien e vaksinave.

Shifra të larta të të prekurve me COVID-19 që nga fillimi ka pasur edhe komuna e Vushtrrisë, prandaj autoritetet lokale janë bërë gati për të nisur me dhënien e vaksinës për vushtrriasit, posa dozat të vijnë në Kosovë.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri deklaron se bashkë me QKMF-në kanë përgatitur komplet programin e vaksinimit. Ai thotë se kur të fillojë vaksinimi masiv për qytetarët e Kosovës, kanë paraparë edhe palestrat sportive dhe hapësira tjera të hapura për ta bërë shpërndarjen e vaksinës.

Për dallim nga komuna e Vushtrrisë ku kanë bërë vetëm planin operativ, në komunën e Gjilanitë tashmë kanë bërë thirrje publike që personat e moshuar të lajmërohen për t’u regjistruar për këtë vaksinë edhe pse ajo nuk ka ardhur ende në Kosovë.

Nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli thotë se thirrjes i janë përgjigjur reth 250 qytetarë të kësaj komune.

Ai thotë se fillimisht vaksinimi është organizuar të ndodh nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, por në plan janë edhe ambulantat mjekësore nëpër fshatra kur të vije koha për vaksinim masiv të qytetarëve.

Stafi mjekësor ka bërë përgatitjet e nevojshme për të bërë vaksinin për qytetarët e Lipjanit, ka thënë edhe kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti.

Fillimisht u është premtuar që disa doza të vaksinës do arrijnë në Kosovë në muajin shkurt.

Ndërsa tash muaji mars nga autoritetet shtetërore po flitet si kohë e mundshme për të arritur dozat e para. Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxford-it, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Por vaksinën AstraZenecas për shkak të dyshimeve shumë shtete e kanë ndërprerë përdorimin e saj për një kohë./kp

Back to top button