​Kosova dhe BE mbajtën takimin e Nënkomisionit të pestë MSA për energjinë

 

Zyrtarët nga Kosova dhe Komisioni Evropian mbajtën diskutime për zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e energjisë, mjedisit, klimës, transportit dhe zhvillimit rajonal.

Diskutimet u zhvilluan në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA-së), e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016.

Temat e reformës që u trajtuan gjatë këtij takimi janë drejtpërsëdrejti relevante për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. U ra dakord që strategjitë, planet e veprimit dhe legjislacioni të vlerësohen për ta siguruar koherencën me parimet dhe prioritetet e iniciativës së Marrëveshjes së Gjelbër për Prioritet e BE-së, Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor si dhe koherencën midis dokumenteve përkatëse në secilin sektor.

Sa i përket energjisë, Komisioni i mirëpriti zhvillimet lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes për kyçje midis operatorit të sistemit të transmetimit të Kosovës (KOSTT-it) dhe ENTSO-E-së, e cila hyri në fuqi në tetor të vitit 2020 dhe e përcaktoi KOSTT-in si zonë të veçantë të kontrollit që nga dhjetori i vitit 2020. Komisioni e pret lansimin e ALPEX-it dhe bashkimin e tregut të Kosovës me atë të Shqipërisë.

Komisioni thekson se Strategjia e ardhshme e Energjisë do të jetë një instrument kyç për ta pasur një vizion gjithëpërfshirës për të ardhmen e lëvizjes së Kosovës drejt dekarbonizimit të prodhimit të energjisë. Komisioni po ashtu e ftoi Kosovën që të fillojë të ndërmarrë hapa për ta rritur zhvillimin e burimeve alternative të energjisë dhe bën thirrje për përpjekje të mëtejshme për t’i përmirësuar masat e efiçencës së energjisë për amvisëritë private.

Në veçanti, Komisioni e inkurajon fuqimisht Kosovën që të largohet nga sistemi aktual i tarifave nxitëse për energjinë e ripërtërirë drejt skemave mbështetëse që bazohen në konkurrencë dhe ankande. Komisioni e mirëpriti përparimin e bërë në zbatimin e legjislacionit për transpozimin e Pakos së Tretë të Energjisë dhe bëri thirrje që një numër i ligjeve në pritje që kanë të bëjnë me naftën dhe reformat e tjera të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur.

Sa i përket veprimit për klimën, Komisioni e shprehu shqetësimin e tij për zhvillimet lidhur me veprimin për klimën, duke e theksuar nevojën për ta miratuar kornizën legjislative dhe dokumentet e nevojshme strategjike për ta përshtatur përkushtimin e tij ndaj Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Komisioni e theksoi edhe rëndësinë e zbatimit dhe forcimit të kapaciteteve administrative.

Për mjedisin, Komisioni gjithashtu e shprehu shqetësimin e tij për zhvillimet e kufizuara. U diskutua rëndësia e kapacitetit administrativ kombëtar për zbatimin e legjislacionit. U diskutuan edhe zhvillimet e tjera lidhur me cilësinë e ajrit, menaxhimin e mbeturinave dhe ujit, mbrojtjen e natyrës, pylltarinë, zhurmën, kimikatet dhe mbrojtjen civile.

Për transportin, Komisioni e mirëpriti pjesëmarrjen pro-aktive të Kosovës në Komunitetin e Transportit. U diskutuan edhe zhvillimet më të fundit legjislative dhe të politikave në fushën e transportit Komisioni e nënvizoi nevojën për ta vazhduar hartimin e projekteve për të ndihmuar në krijimin e rrjetit kryesor të transportit për Ballkanin Perëndimor dhe për t’i kontribuar zhvillimit ekonomik.

Të dyja palët u pajtuan për nevojën për t’i vazhduar reformat, duke përfshirë forcimin e pavarësisë dhe kapaciteteve të institucioneve rregullatore në sektorin e transportit. Komisioni bëri thirrje për masa konkrete dhe urgjente për ta përmirësuar sigurinë në rrugë, në të mirë të qytetarëve.

Në veçanti, Komisioni e inkurajoi fuqishëm Kosovën që ta miratojë një strategji të re për sigurinë në rrugë për dekadën 2021-2030. Komisioni i bëri thirrje Kosovës që ta përfundojë transpozimin e çështjeve të mbetura nga faza e parë e Marrëveshjes për Aviacionin Civil Evropian.

Më në fund, për zhvillimin rajonal, Komisioni e mirëpriti miratimin e strategjisë për Zhvillimin Rajonal dhe e theksoi rëndësinë e shtimit të kapaciteteve dhe zbatimin e politikave në këtë sektor.

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA-ja) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për diskutime të rregullta mbi çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim Asocimit, të ndihmuar nga Komisioni i Stabilizim Asocimit si dhe Nënkomisionet e MSA-së, të cilat e mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

Gjatë çdo takimi të nënkomisioneve monitorohet dhe përcillet realizimi i reformave nga Kosova dhe kuptohet se si BE-ja mund të ndihmohet në këtë proces.

Shtatë fusha mbulohen përmes mbledhjeve sektoriale të nën-komisioneve për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; inovacionin, shoqërinë e informacionit, politikat sociale, arsimin dhe kulturën; tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet; tregun e brendshëm, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, bujqësinë, peshkatarinë, sigurinë e ushqimit; transportin, mjedisin, energjinë, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.

Dy fusha të tjera që trajtohen përmes takimeve të grupeve të veçanta janë reforma e administratës publike dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Takimet e Komisionit për SA dhe nënkomsioneve bashkëkryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime përcjellëse që përcaktohen bashkërisht e që duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës, thuhet në një komunikatë për media.

Back to top button