Krasniqi tha se vendimi i Qeverisë nuk ofron zgjidhje, por legalizim për ndaljen e rrymës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot duke akuzuar Qeverinë Kurti për dështimin e zgjidhjes së krizës energjetike, ka thënë se fatkeqësisht kjo qeveri nuk ka treguar as vetëbesim për të ofruar zgjidhje të kësaj krize.
Në seancën e jashtëzakonshme, ku po shqyrtohet vendimi të Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, deputeti Krasniqi ka theksuar se me vendimin e Qeverisë të sjellë në Kuvend këtë vendim, nuk po kërkohet zgjidhje, por siç ka thënë ai, vetëm legalizim për shkëputjen e rrymës për qytetarët.
“Kosova është në krizë energjetike, kjo krizë ne të cilën po kalon vendi është krizë reale dhe e prekshme për secilin qytetarë të Kosovës. Mënyra më e drejtpërdrejt se si e ndiejnë qytetarët këtë krizë, janë reduktimet e rrymës. Reduktimet meqenëse janë fakt dhe diçka që po e përjetojnë tash e disa ditë me radhë qytetarët tanë, nga ajo që e pashë, nga vendimi që e keni sjellë, krejt çka po kërkoni është që të legalizoni shkëputjen e rrymës për qytetarët e Kosovës. Më shumë se dy javë i ka që ne si PDK, iu kemi kërkuar që të vini me një vendim për shpalljen e gjendjes emergjente[…]Ajo që neve po na intereson është zgjidhja për krizën, sa do e vonuar që është. Prandaj, qeveria, institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet përgjegjëse përfshirë edhe kuvendin dhe neve si deputet duhet të shohim tek rrugëdalja drejt kësaj zgjidhje. Ka pasur vlerësime dhe mendime të ndryshme për shteg-dalje, por fatkeqësisht më së paku për këtë çështje ka menduar qeveria[…]Fatkeqësisht deri më sot nuk kemi parë qeverinë të ketë treguar as vetëbesim për të ofruar zgjidhje. E kur nuk ka zgjidhje, atëherë më së lehti është me pasur akuza”, ka thënë ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?