​Krasniqi zyrtarizon kandidaturën e Astrit Ademaj për kryetar të Pejës

 
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Astrit Ademajt për kryetar të Komunës së Pejës, duke thënë se ka ardhur momenti për një vizion të ri për Pejën dhe PDK-në.
Krasniqi tha se Astrit Ademaj do të jetë kryetari i duhur për Pejën për të nisur realizimin e projekteve, për ta transformuar Pejën në një qytet të zhvillimit ekonomik, turistik, kulturor e sportiv.
“PDK-ja dhe Peja njihen qe mbi 20 vjet. Kemi pasur respekt të ndërsjellët, dashamirësi, angazhim dhe përkushtim për të shtyrë punë të mëdha së bashku. Por, për këto 20 vjet, ne ende nuk kemi vënë në jetë potencialin që mund ta ndërtojmë së bashku. Prandaj, ka ardhur momenti që ky potencial të vihet në jetë. Ka ardhur momenti për një vizion të ri për Pejën dhe PDK-në. Peja i ka dhënë tri medalje të arta olimpike Kosovës e krejt shqiptarëve. Por, Pejës i mungon një medalje tjetër e artë: një qeverisje e medaljes së artë – qeverisja e PDK-së në këtë komunë. E bashkë me Astritin, PDK është e gatshme për t’ia dhënë këtë Pejës”, tha Krasniqi.
Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj falënderoi kryetarin Krasniqi dhe strukturat partiake për mbështetjen dhe besimin e dhënë.
“Se qysh ka qeverisur PDK-ja në nivelin lokal dhe çfarë modeli përfaqëson mjafton të shihet komuna e Ferizajt dhe Drenasit aktualisht, si dhe komuna e Prizrenit dhe komuna tjera më parë. Peja ka nevojë të jetë fuqi ekonomike dhe konkurrente në tregun e lirë, sepse shquhet për intelektualë dhe afaristë ndër më të suksesshmit në Kosovë”, tha Ademaj.
Ndërsa kryetari i Degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti tha se po punojnë që Pejës t’ia ofrojnë një qeverisje të mirë me njerëz që kanë vizion të qartë për zhvillim e punësim.
“PDK është gati për fitoren në Pejë dhe për këtë po punojmë çdo ditë. Pejës ia kemi ofruar kandidatin më të mirë siç është Astrit Ademaj, një njeri i përgatitur për të udhëhequr me Komunën e Pejës”, tha Haliti.

Back to top button