​Kurti thotë se në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria

 
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se për më shumë se dy dekada në Kosovë ka sunduar paligjshmëria. Sipas tij, zbrastësirat ligjore dhe jo efikasiteti i organeve të drejtësisë e kanë lënë mundësinë për rritje të kriminalitetit dhe kanë krijuar kulturë të pandëshkueshme risë.
Kurti, derisa ka folur për projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka thënë se kjo byro do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përmes konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.
“Ka vite që kemi theksuar jemi pajtuar të gjithë se korrupsioni në vendin tonë ka qenë i lartë dhe i koncentruar të zyrtarët e lartë të qeverisë dhe jo vetëm, se një pjesë e ngushtë e shoqërisë është pasuruar në kurriz të shumicës përmes keqpërdorimit të taksave, shpërdorimit dhe ikjes nga drejtësia. Në Kosovë për më shumë se dy dekada, në masë të madhe, ka sunduar paligjshmëria. Herë zbrastësirat ligjore e herë jo efikasiteti i organeve të drejtësisë kanë lënë mundësi për rritje të kriminalitetit dhe kanë krijuar kulturë të pandëshkueshmërisë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se ky projektligj do t’i largojë pengesat për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.
“Rrjedhimit ata të cilët kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit janë pasuruar duke keqpërdorur taksën e qytetarëve. Projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimi ne pasurisë së pajustifikueshme do t’i heq pengesat për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme. Kjo byro do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme”, ka thënë kryeministri.
Kurti ka thënë se përmes këtij projektligji në Kosovë më nuk do të dominojë parulla ‘rroga e vogël, fitimi i madh’.
Duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për këtë projektligj, kryeministri Kurti ka thënë se i njëjti është hartuar në bashkëpunim me ekspertë duke përfshirë edhe gjykatës e prokurorë.
Ai ka shtuar se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet vetëm nga gjykata.

Back to top button