​Kuvendi identifikon shumë të gjetura në zbatimin e ligjit për procedurën përmbarimore

Kuvendi me 66 vota pro votoi raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Procedurën Përmbarimore.
Këtë raport e ka arsyetuar zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Legjislacion, Driton Selmanaj, i cili tha se gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të këtij ligji, janë identifikuar shumë të gjetura që nxjerrin në nivelin e zbatimit të tij.
Ai tha se me nenin 13 të këtij ligji, lejohet që përmbaruesi të bëjë pazar me njërën prej palëve në procedurë dhe në këtë mënyrë sipas tij zbehet drejtësia.
“Gjatë vizitave në terren dhe shqyrtimit të të dhënave, komisioni ka arritur të identifikoj shumë të gjetura që nxjerrin në pah nivelin e zbatimit të ligjit për procedurën përmbarimore, dhe po i përmend vetëm disa prej tyre. Me nenin 13 të këtij ligji, lejohet që përmbaruesi të bëjë pazar me njërën prej palëve në procedurë dhe në këtë mënyrë zbehet drejtësia. Nuk mund të ruhet pavarësia gjyqësore nga përmbaruesi përderisa I paguhet nga pala kreditore dhe negociohet përqindja e efikasitetit, ashtu që sistemi i tarifave duhet të kontrollohet dhe të vihet standardi I njëjtë në të gjitha nivelet. Nuk ka mekanizëm të caktimit të anëtarëve të Komisioneve disiplinor dhe nuk ka vlerësim të përformancës të anëtarëve të KGJK-së në këto komisione. KGJK-ja vlerëson se puna e përmbaruesve duhet kontrollohet dhe monitorohet në vazhdimësi. KGJK dhe Ministria e Drejtësisë nuk e bën vlerësimin e performacës së gjyqtarëve të cilët shërbejnë si anëtarë të komisionit disiplinor ndaj përmbaruesve privat e as oda nuk e bën vlerësimin e performacë së anëtarit dhe zëvendësanëtarit të saj në këtë komision”, tha ai.
Tutje, Selmanaj tha se Këshilli Gjyqësor nuk ka paraqitur kërkesë për rritjen e numrit të përmbaruesve, mirëpo KGK-ja konsideron se duke parë gjendjen aktuale, rritja e numrit të përmbaruesve privat është e nevojshme.
Në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Adnan Rrustemi tha se e mbështesin këtë raport i cili nxjerr rekomandime të dobishme.
Ai theksoi se ky raport nxjerr në pah defektet e caktuara nga praktika.
“Ne mbështesim këtë raport për ligjin sa i përket procedurës përmbarimore gjithmonë duke nxjerr në pah defektet e caktuara nga praktika dhe nevoja e përmirësimit të infrastrukturës ligjore për ta rregullua një herë e mirë këtë çështje dhe pa i cenuar të drejtat e qytetarëve siç u përmend nga gjetjet konkrete. Ne e mbështesim si grup parlamentar dhe besojmë që nga të gjeturat që u paraqiten, por edhe nga rekomandimet që janë të përfshira në këtë raport, është një bazë e mirë për ta rregulluar një herë e mirë çështjen e përmbarimit, sepse jemi dëshmitar edhe të mos funksionimit shpeshherë edhe të hendeqeve në këtë drejtim, por edhe të dëmtimit ët interesave të qytetarëve për sa i përket ekzekutimit të lëndëve të tyre”, theksoi ai.
Po ashtu, në emër të GP të PDK-së, deputeti Hajdar Beqaj, ofroi mbështetjen e këtij grupi për raportin në fjalë, i cili tha se është profesional e të duhur.
“Konsiderojmë që komisioni ka bërë një raport profesional të duhur, andaj, është i domosdoshëm për t’u përkrahur. GP i PDK-së e mbështet dhe konsideron që të gjeturat nga raporti janë të domosdoshme të implementohen”, tha Hajdari.
Edhe grupi parlamentar i AAK-së mbështeti raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Procedurën Përmbarimore./KP

Back to top button