Ramë Lahaj me koncert në Dubai, për nder të Pavarësisë së Kosovës

 
Për herë të parë Kosova po prezantohet në ekspozitën botërore ”EXPO 2020 Dubai” në mesin e 192 shteteve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në koordinim me ministritë tjera, ka marrë të gjitha masat që shteti ynë të prezantohet në formën më dinjitoze duke sjellë në pah potencialet dhe vlerat më të mira të kombit tonë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në njoftim tutje thuhet se për t’i dhënë akoma më shumë vlerë kësaj paraqitje, tenori ynë i skenave ndërkombëtare njëherësh dhe Ambasadori i Kulturës, Ramë Lahaj do të mbajë koncert në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2022 në Amfiteatrin Milenium në Dubai, prej orës 21:30 (18:30 – zona kohore e Kosovës).
“Të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët e Republikës, që duan të jenë pjesë e kësaj feste, ftohen t’i marrin biletat falas për të hyrë në ”EXPO 2020 Dubai” me 17 shkurt 2022″, njofton Qeveria. Ndërsa ceremoninë zyrtare të intonimit të himneve, ngritjes së flamurit tonë, fjalimet përshëndetëse dhe paraqitjen e Ansamblit Kombëtar të këngëve dhe valleve “SHOTA”, mund t’i ndiqni prej orës 16:00 në Al Wasl Plaza në Dubai (13:00 – zona kohore e Kosovës), në të njëjtën ditë 17 shkurt.
“Të interesuarit mund të lajmërohen për biletat pa pagesë deri më datën 15.02.2022 në numrin e telefonit: +971506648749”, njofton Qeveria./21Media

Back to top button