​Limaj: Mësimdhënësit të trajtohen me dinjitet, SBASHK-u të ndalojë grevën

“Qeveria, është duke e trajtuar me shumë seriozitet çështjen e trajtimit të sektorit të arsimit”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, bashkë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka pritur sot në takim përfaqësuesit nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), të kryesuar nga kryetari i saj, Rrahman Jasharaj, ku është diskutuar rreth grevës së filluar në arsim.

Zëvendëskryeministri Limaj është njoftuar nga përfaqësuesit e SBASHK-ut për situatën aktuale rreth grevës në arsim, për të cilën Jasharaj ka thënë se ka qenë një vendim tejet i vështirë edhe për SBASHK-un. Sipas Jasharajt, nuk kanë pas alternativë tjetër, pasiqë kërkesat e tyre për ngritjen e koeficienteve për të punësuarit në sektorin e arsimit nuk janë plotësuar.

Zëvendëskryeministri Limaj e ka njoftuar SBASHK-un se ai personalisht, por edhe Qeveria është duke e trajtuar me shumë seriozitet çështjen e trajtimit të sektorit të arsimit në projektligjin për pagat.

Limaj ka shprehur gatishmërinë se do të angazhohet edhe më tutje për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse qeveritare, por edhe me komisionet dhe grupet parlamentare, për të gjetur një zgjidhje të përballueshme për mundësitë buxhetore të shtetit të Kosovës, por edhe që të trajton në mënyrë të dinjitetshme të gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit dhe jo vetëm.

Limaj gjithashtu ka theksuar se e mirëkupton situatën rreth grevës, por për faktin se dëmtimi i procesit mësimor është dëmtim i së ardhmes së vendit. Ai ka thënë se pret nga SBASHK-u që të reflekton, në mënyrë që të zgjidhin këtë çështje përmes dialogut dhe rrugëve institucionale, në të cilat beson më shumë.

Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka folur rreth gjendjes se krijuar, ku ritheksuar se janë kundër grevës, për faktin se si e tillë e dëmton procesin arsimor dhe sjellë pasoja të mëdha për nxënësit, të cilët nuk janë fajtor për këtë situatë.

Bytyqi ka theksuar se MASHT-i është angazhuar shumë rreth kësaj çështje, madje edhe në bashkëpunim me SBASHK-un, e ku ka veçuar kërkesën për ngritjen e koeficienteve për të gjithë të punësuarit në sektorin e arsimit në projektligjin për pagat, ku pas kësaj kërkese ka pasur një rritje të lehtë të këtyre koeficienteve, por jo aq sa e meritojnë të punësuarit në arsim.

Mësimdhënësit nga e hëna kanë hyrë në grevë me kërkesën për rritje pagash.

Back to top button