​Mbi 7 mijë punëtorë marrin paga vetëm 80 euro në muaj

 

Më shumë se 7 mijë punëtorë në Kosovë marrin vetëm nga 80 euro në muaj, ndërsa mbi 200 mijë punëtorë të tjerë në sektorin privat marrin pagë minimale, rreth 170 euro për muaj.

Përveç kësaj, shumë punëtorë të këtij sektori mbeten të rrezikuar për shëndetin dhe sigurinë në punë, ndonëse sivjet ka shënuar rënie numri i aksidenteve me fatalitet në vendet e punës.

Kështu u tha me rastin e publikimit të sotëm të dokumentit “Profili për sigurinë dhe shëndetin në punë”, nga Organizata “International Labour Organization”.

Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli tha se çdo kush ka të drejtë të punojë, por edhe pa diskriminim, megjithatë sipas tij në mungesë të Këshillit Ekonomik Social ka shumë probleme që duhet të zgjidhen, siç është edhe paga minimale.

Diskriminuese sipas tij është se mbi 200 mijë punëtorë në sektorin privat marrin pagë minimale në Kosovë, që aktualisht është 170 euro. Teksa shtoi se paga prej 80 euro që marrin mbi 7 mijë punëtorë është e pamjaftueshme edhe për ushqimin e tyre familjar.

Hykolli tha se Kosova ka një pagë minimale që është shumë diskriminuese dhe potencoi se asnjë vend në rajon nuk është më keq se Kosova në aspektin e papunësisë.

“Ne, qe një kohë të gjatë nuk mund të takohemi dhe të bisedojmë me Këshillimin Ekonomiko Social. Kemi shumë probleme që duhet t’i zgjedhim, dhe kjo është shumë me rëndësi për arsye se ne kemi një pagë minimale që është shumë diskriminuese. Nga hulumtimet që kemi bërë si sindikatë dhe hulumtimet tjera, është shumë e ulët, nga rezultatet që i kemi nxjerrë, del se diku mbi 7 mijë vetë marrin rrogën vetëm 80 euro”, tha Hykolli.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thanë se për të parandaluar rreziqet dhe diskriminimin në punë kjo qeveri shumë shpejt do të ndërmerr një sërë masash.

Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti tha se për të parandaluar rreziqet në punë, masat e para që do të ndërmerren nga Qeveria janë shtimi i numrit të inspektorëve të punës dhe ngritja e kapaciteteve për trajtimin e ankesave të punëtorëve.

“Disa nga masat që do t’i ndërmarrim janë shtimi i numrit të inspektorëve të punës, avancimi i kapacitetit të Agjencisë së Punësimit, njohja e punës përkatëse si përvojë pune, ngritja e kapaciteteve për shqyrtimin e ankesave nga punëtorët, pushimi i lehonisë dhe pushimi prindëror. Të gjitha këto masa tani më veç janë në planin e organizimit dhe ekzekutimi i tyre është i planifikuar në mënyrë të saktë”, tha Kapiti.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Ekrem Kastrati tha se dy objektivat e tyre janë siguria dhe shëndeti punë si dhe parandalimi i informalitetit. Ai tha se numri aksidenteve me fatalitet në punë është në rënie, derisa shtoi se janë të përkushtuar që të parandalohen në tërësi këto aksidente.

“Gjatë këtij viti krahasuar me periudhën e vitit të kaluar, aksidentet në punë me fatalitet janë në zvogëlim e sipër, por kjo nuk do të thotë që ne të jemi të kënaqur, sepse është shtuar intensiteti punës në terren dhe besojmë që mekanizmat tanë ligjorë dhe ata institucionalë të jenë në kapacitetet e duhura që t’i parandalojmë aksidentet me fatalitet në vendet e punës. Më gëzon fati që qeveria e tanishme është e përkushtuar ta rrisë numrin e inspektorëve, pasi që aktualisht kemi një numër të vogël të inspektorëve dhe nuk po arrijmë t’i dalim ballë kërkesave dhe ankesave që kemi për vend punishte”, tha Kastrati.

Sipas planit të Qeverisë Kurti 2 paga minimale në Kosovë, e cila aktualisht është 170, të bëhet 250 euro, edhe pse këtë normë tashmë po e kundërshton BSPK-ja, e cila kërkon që kjo pagë të jetë 300 euro./KP

Back to top button