Vitia: Jemi në fazën finale të marrëveshjes për sigurimin e vaksinave

 

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot deklaroi se janë në fazën finale të arritjes së kontratës për sigurimin e vaksinave antiCOVID 19.

Ai gjatë seancës së sotme plenare tha se vonesat janë si pasojë e Kosova është vonuar të fillojë inicimin e negociatave për blerjen e vaksinave.

“Jemi në diskutime të vazhdueshme me prodhuesit dhe jemi në fazën finale të kontratës e cila do të na mundësoj të vazhdojë me procesin e vaksinimit në masë. Sa i përket vonesat, i kemi sqaruar edhe herën e kaluar procesi i negocimit tek ne ka filluar në fund të vitit kur shumica e kontratave janë mbyllur. Natyrisht për çdo vaksinë që ka një afat skadence të shkurtër, e cila bëhet në bazë të kërkesave nga shtete përkatëse, kompanitë prodhuese prodhojnë aq sa negociojnë shtetet. Po është një konstatim se shteti jonë është vonuar të fillojë inicimin e negociatave si duhet. Kjo është arsye e vonesës. Por një gjë do t’iu garantojë se nuk do të ketë vonesa në ardhjen e vaksinave. Me planifikimin tonë ne do të arrijmë vaksinimin e 60 përqind të popullatës, ashtu siç kemi thënë”, u shpreh ai.

Këtë qëndrim, Vitia e tha pas pyetjes së deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.

“Bazuar deri në të dhënat e deritanishme Qeveria e Kosovës ende nuk ka nënshkruar kontratë për furnizim me vaksinat anti Covid 19. Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka mundur të nënshkruaj një kontratë për blerjen e vaksinave. Çdo vaksinë e siguruar deri më tani është donacion[…]a mund të na tregoni përse deri më tani nuk keni shkruar kontratë me furnizim me vaksinat anti-Covid 19”, pyeti ai.

Krahas kësaj, ministri Vitia tha se ai nuk është intervistuar asnjëherë nga Prokuroria e Shtetit lidhur me disa kontrata të nënshkruara në qeverinë Kurti I.

Back to top button