​Mbretëria e Bashkuar mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

 

 

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Giles Portman, drejtorin për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas Portman, zhvillimet e fundit politike në vend paraqesin një kthesë për zhvillime të reja.

Nga ana e saj, Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen historike të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës që nga periudha e luftës, duke përfshirë angazhimin në kuadër të NATO-së, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që nga shpallja e pavarësisë. Në këtë drejtim, ajo tha se Mbretëria e Bashkuar mbetet një prej partnerëve dhe aleatëve më strategjik për vendin tonë.

Tutje, presidentja theksoi që institucionet e vendit janë të gatshme të angazhohen në hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar dhe fuqizimin e atyre ekzistues, gjersa ka vënë theks të veçantë tek fusha e sundimit të ligjit, mbrojtjes, sigurisë, shkëmbimeve tregtare, arsimit, si dhe angazhimin e përbashkët për avancimin e agjendës së gjelbër.

Presidentja shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në këtë drejtim, teksa Portman ritheksoi se Mbretëria e Bashkuar është mbështetëse e plotë e të ardhmes së Republikës së Kosovës në NATO, gjë që do të kontribuojë në stabilitet dhe siguri në rajon dhe përtej.

Ai shprehu mbështetjen e Britanisë së Madhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Osmani shprehu mirënjohje për ndihmën dhe angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur më dhunë në luftën e fundit në Kosovë, duke thënë se zbardhja e fatit të tyre dhe vendosja e drejtësisë janë parakusht për paqe të qëndrueshme dhe sukses në procesin e dialogut.

Të dy palët u dakorduan për bashkëpunim të ngushtë në realizimin e projekteve të përbashkëta, të cilat do të ndihmojnë avancimin e raporteve të ndërsjella.

Back to top button