​MSh arsyeton shfuqizimin e UA-së për çmimet e produkteve e pajisjeve medicinale

 

Ministria  e Shëndetësisë e Kosovës sonte dha shpjegim për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

Sipas MSh-së, Udhëzimi Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale ka rregulluar metodologjinë e përcaktimit të çmimit të produkteve duke u bazuar në shtetet referente në bazë të  burimeve zyrtare.

“Në mungesë të listave zyrtare nga shtetet referente,  Komisioni për përcaktimin e çmimeve i ka përcaktuar çmimet duke u bazuar në lista jo zyrtare, pra në kundërshtim me dispozitat ligjore të këtij Udhëzimi administrativ.  Po ashtu, ky UA ka imponuar tërheqjen e disa produkteve cilësore nga shtetet evropiane dhe botërore.”, informoi MSh përmes komunikatës.

Sa i përket përcaktimit të çmimeve nga vendi i origjinës, ministria bëri të ditur se dispozitat e Udhëzimit Administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale kanë përcaktuar mënyra të ndryshme për metodologjinë e përcaktimit të çmimeve të produkteve.

Sipas çështjeve të sipërshënuara të cekura, sipas komunikatës, në raportin e Komisionit të ankesave si shkallë e dytë përfundimtare në procedurë të përgjithshme administrative ky UA është i pa zbatueshëm.

“Poashtu, Departamenti ligjor i Ministrisë së shëndetësisë bazuar në raportin e Komisionit të ankesave ka propozuar që për këtë politikë të shqyrtohet mundësia e Koncept dokumentit për rregullimin e çmimit të barnave. Për informim korrekt, ka adresuar kërkesën për  inicimin e procedurës për vërtetimin e ekzistencës së konfliktit të interesit dhe pasojat e tij në Agjencinë kundër Korrupsion, duke pasur dyshim të arsyeshëm për konflikt interesi për dy anëtar të këtij komisioni, njëri që ka përfaqësuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe anëtari tjetër që ka përfaqësuar Odën e Farmacistëve të Kosovës në përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, duke qenë se anëtari i OFK është pronar i qarkulluesit me pakicë dhe bashkëpronar i një qarkulluesi farmaceutik me shumicë.”, informoi MSh më tutje.

Po ashtu, sipas njoftimit, Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar kërkesë te Auditori i Përgjithshëm për rishikimin e rregullsisë së këtij procesi.

“Ministria e Shëndetësisë me Vendim me nr. protokolli 05-4834 të dt. 04/08/2020 ka shfuqizuar Udhëzimin Administrativ, nr.02/2019 për rregullimin e çmimeve të produkteve dhe pajisjeve medicinale, i cili i hap rrugë që politika e përcaktimit të çmimeve të barnave të vihet në binar ligjor, të rregulloj sektorin farmaceutik në interes të popullatës dhe jo në shërbim të grupeve të interesit.  Ky Vendim e autorizon Sekretarin e Përgjithshëm të MSh që të ndërmarr veprimet në drejtim të hartimit të Koncept dokumentit për rregullimin e çmimit të barnave me qëllim të shmangies së pa barazisë, monopolit dhe jo kualitet – cilësi në tregun farmaceutik, i cili ka ndikim të konsiderueshëm social dhe ekonomik.”, bëri të ditur tutje MSh.

Ministri i Shëndetësisë zotohet se do t’i përkrah farmacistët dhe rregullimin e tregut farmaceutik të Kosovës vetëm në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.

“Sipas nenit 8 të LIGJIT Nr. 04/L-125 PËR SHËNDETËSI, Ministria e Shëndetësisë është organ kompetent për hartimin e politikave dhe zbaton ligjet e një sistemi jo-diskriminues dhe të përgjegjshëm për kujdesin shëndetësor; vendos normativa dhe standarde dhe nxjerr udhëzime për sektorin e shëndetësisë.”, bëri të ditur më tutje ministria./21Media

Back to top button