​Mustafa uron qytetarët e Kosovës për ditën e pavarësisë

 

Me rastin e 13-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka uruar qytetarët e vendit.

Mustafa në urimin e tij shkruan se shpallja e pavarësisë më 17 shkurt shënon një nga momentet më të rëndësishme të historinë më të re të Kosovës dhe se rruga deri te pavarësia ishte një rrugë me sakrifica dhe mund i një populli të tërë. Po ashtu ai ka theksuar se projektues i pavarësisë dhe i themelimit të shtetit të Kosovës është arkitekti Ibrahim Rugova.

“Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë me të re të Kosovës. Rruga deri të pavarësia ishte një rrugë me sakrifica dhe mund i një populli të tërë të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për ta çliruar shtetin. Projektues i pavarësisë dhe i themelimit të shtetit të Kosovës është arkitekti i saj, Dr. Ibrahim Rugova. Ai me vizionin e tij properëndimor fitoj mbështetjen e jashtëzakonshme ndërkombëtare sidomos nga SHBA-të që ta përkrahin Kosovën në arritjen e lirisë, krijimin e shtetit dhe po vazhdojnë në konsolidimin e tij”, ka shkruar ai.

Mustafa ka thënë edhe se është mirënjohës ndaj familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.

“U jemi mirënjohës përjetësisht Familjes së Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dëshmorëve të kombit dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në përpjekjet e tyre të pareshtura për liri, çlirim dhe shtetndërtim. Në këtë 13 vjetor Kosova ka arritur shumë suksese pavarësisht rrethanave sfiduese që i ka hasur gjatë rrugëtimit të saj gjatë këtyre viteve. Rruga e vetme për ta bërë Kosovën shtet të anëtarësuar në BE, NATO dhe OKB, është puna e zellshme në përmbushjen e detyrimeve si shtet si në aspektin e brendshëm, zhvillimin ekonomik, luftimin e korrupsionit si dhe ruajtjen e partneritetit më SHBA-të, ngase pa ndihmën e tyre sot nuk do festonim çlirimin. LDK-ja mbetet e përkushtuar që ta ruaj dhe konsolidoj shtetin tonë ngase kjo Republikë është projekt i ynë i përhershëm. Urime, 17 shkurti, Dita e Pavarësisë!”, ka shkruar Mustafa./21Media

Back to top button