​Nagavci vlerëson rolin e shoqërisë civile në zhvillimin e arsimit në Kosovë

 

 

Kontributi që mund të jep shoqëria civile në ngritjen e cilësisë në arsim, ka qenë temë diskutimi në takimin e sotëm të ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci me përfaqësues të OJQ “Optima”, e cila merret me krijimin e mundësive zhvillimore për studentët e Kosovës.

Në takim është diskutuar rreth ecurisë së projektit “Zhvillimi i një sistemi gjithëpërfshirës të vlerësimit të performancës së stafit akademik për sistemin universitar të arsimit të lartë publik në Kosovë”.

Nagavci ka theksuar rolin e shoqërisë civile në të gjitha fushat e jetës, ndërsa ka përmendur edhe aktivitetet e shumta që janë bërë nga OJQ-të, e që kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes në arsim.

Pasi që foli për planin qeverisës për arsimin, ministrja e Arsimit tha se është e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që mund të kontribuojnë në realizimin e këtij plani, që synon zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet.

Këshilltarja për arsimin e lartë e projektit, Sharon Hart foli rreth zbatimit të sistemit të vlerësimit të performancës, i cili pritet të përfundojë në tetor të këtij viti. Ajo tha se sistemi i vlerësimit ka tetë hapa që duhet zbatuar deri në përfundim të tij.

Ky projekt, i cili përkrahet nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, është duke u zbatuar në shtatë universitete publike të Kosovës.

Back to top button