​Nis fushata “Festo me zemër, jo me armë”

Për çdo vit, Policia e Kosovës konfiskon rreth 1500 armë pa leje të llojeve të ndryshme. Kështu u tha në hapjen e fushatës, “Festo me zemër, jo me armë”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe UNDP.
“Një person lëndohet nga plumbi qorr në oborrin e tij në Deçan”, ” U plagos nga një plumb qorr në natën e ndërrimit të viteve, vdes Shpresa Kastrati”, janë vetëm disa nga njoftimet që janë prezantuar në ekspozitën e sotme.
Fushata e cila nisi sot synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani tha se përdorimi i armëve pa leje vazhdon të jetë shqetësim për Kosovën.
“Në aspektin e parandalimit, përveç MPB-së edhe akterët tjerë duhet të luajnë rolin në aspektin e vetëdijesimit për pasojat që vijnë nga mbajtja e armëve pa leje. Të gjithë jemi dëshmitarë që në mbarë botën krimi është duke u organizuar jashtëzakonisht shpejt. Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1500 armë të llojeve të ndryshme. Si rezultat i angazhimit, ne kemi avancuar suksesshëm në konfiskimin e armëve. Gjatë vitit 2021 janë konfiskuar 1280 armë, në vitin 2020 1130 armë”, tha ai.
Niels Knudsen nga UNDP tha se pothuajse çdo ditë po shënohen incidente që vijnë nga përdorimi i armëve.
“Qarkullimi i këtyre armëve janë ato që shkaktojnë dhunën dhe pabarazinë. Për shkak se siguria ka një ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin e qëndrueshëm. Armët pa leje paraqesin një rrezik për familjen dhe popullatën. Veprat penale bëhen përmes përdorimit të armëve. Momentin që shkrepet një armë, plumbi e ka një cak”, tha Knudsen.
Kjo kampanjë do të zgjasë katër muaj dhe organizohet edhe në Shkup./KP

Back to top button