Prokuroria Themelore në Prizren deklarohet për aksionin “TOTO”

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njoftoi se gjatë një hetimi disa mujor në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe me Gjykatën Themelore në Prizren, me 05.10.2022 kanë zhvilluar një aksion të koduar me emrin “TOTO”, me ç’rast janë arrestuar të gjithë të dyshuarit – 13 persona, në mesin e të cilëve është edhe një zyrtar policor.
Lidhur me këtë rast janë kontrolluar 19 lokacione, vendbanime dhe lokale, dhe në cilësi të provave janë sekuestruar para të gatshme – 55 mijë 388 euro, 1 mijë e 700 franga zvicerane, 50 mijë lekë, 100 dollarë, 1 mijë e 320 dinarë serb, dy armë (një e shkurtë dhe një gjysmë- automatike), 39 copë municion, 29 telefona mobil, një llaptop, dy USB, 350 pako cigare pa banderola dhe 6 vetura.
Personat e arrestuar janë në ndalim për 48 orë, dhe Prokuroria Themelore në Prizren do të kërkojë nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit.
Të arrestuari dyshohet se kanë kryer veprat penale: “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”,  “Fajdeja”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Sulmi”, “Detyrimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”./21Media
 

Back to top button