​Nis numërimi i votave jashtë Kosovës, ja kur do të shpallen rezultatet përfundimtare për kryetarë të komunave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot filloi me numërimin e votave jashtë Kosovës, të ardhura përmes postës gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor 2021.
Sipas Valmir Elezit nga KQZ-së, gjatë kësaj periudhe ky institucion ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime dhe pas vlerësimit brenda këtyre pakove janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime.
“Gjatë vlerësimit të tyre janë aprovuar 9 mijë e 610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Më shumë se gjysma e tyre janë refuzuar pasi janë dërguar nga persona që nuk kanë aplikuar për regjistrim si votues jashtë Kosovës (614) apo janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues (200). Ka edhe raste kur pako me fletëvotime është dërguar më shumë se një herë nga persona të njëjtë (168)”, tha Elezi në konferencë për media.
I pyetur se kur KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, Elezi la të kuptohet se kjo do të bëhet brenda dy-tri ditësh.
Sipas tij, KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave pasi të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, që sipas planifikimit tonë do të numërohen të hënën, si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme.
Në vitin 2017, KQZ-së i janë dashur 9 ditë për të shpallur rezultateve përfundimtare të raundit të parë zgjedhjeve për kryetarë të komunave dhe 3 ditë të tjera për t’i certifikuar ato.

Back to top button