Nuhiu e konsideron klasike të futbollit kosovar ndeshjen Drita-Prishtina
Në konferencën për medie para ndeshjes, Drita-prishtina, kryetrajneri, i skuadrës nga Gjilani, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Marko Simonovski folën për përgatitjet dhe pritshmëritë nga kjo ndeshje.
Nuhiu theksoi se Drita ka përgatitur ndeshjen e nesërme, duke e cilësuar atë si një klasike të vërtetë.
“Kishim vetëm tri ditë dhe jemi munduar që shumë shpejtë të rikuperojmë forcat dhe të përgatisim ndeshjen e nesërme. Kundërshtarin e njohim sepse kemi zhvilluar një ndeshje tashmë me ta dhe nesër kam besim të plotë se do të jetë një klasike e vërtetë. Futboll shumë kualitativ, gjithmonë duke iu referuar kualitetit të futbollistëve si tek njëra apo tjetra skuadër. Skuadra ime është komplet e fokusuar në ndeshjen e nesërme, duhet të jemi të disiplinuar dhe ta gjejmë formën për ta mposhtim skuadrën e Prishtinës. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse përballemi me një skuadër që realisht ka shumë cilësi. Jemi paraqitur mirë në fushën tonë dhe kam besim që edhe nesër do të bëjmë një ndeshje të madhe me shumë stil”, ka thënë Nuhiu.
Ndërsa, sulmuesi Marko Simonovski ka thënë se secila ndeshje është e rëndësishme, prandaj edhe nesër do të luftohet për fitore.
“Ne duhet të fitojmë ndeshjen e nesërme edhe pse është një ndeshje e vështirë. Nëse ne duam të bëhemi kampion duhet të japim dhe ta marrim më të mirën, të fitojmë çdo lojë. Në tri ndeshje nuk kam shënuar dhe në ndeshjen e fundit nuk isha fare në lojë, por shpresoj dhe besoj që në ndeshjet e ardhshme të kthehem dhe të vazhdojë të shënojë sa herë që kam mundësi”, ka thënë Simonovski.
Dita dhe Prishtina ballafaqohen në Gjilan të mërkurën nga ora 21:00.
Trajneri Nuhiu ka vënë theksin te përgatitja maksimale dhe rëndësia e pikëve nga secila ndeshje, për këtë ka thënë se skuadra dhe djemtë janë të motivuar dhe pret që nesër t’i tregojnë vlerat e tyre.
Trajneri njoftoi se nesër do të mungojnë Besnik Krasniqi dhe Hamdi Namani për shkak të kartonëve, gjersa u pyet me theks të veçantë për mungesën e Krasniqit.
“Në ndeshjen e parë Besniku mori kartonin e verdhë para ndeshjes me Drenicën, por pastaj Federata vendosi që të zhvillohej ndeshja e mbetur me Prishtinën. Kjo ia pamundësoi pjesëmarrjen në atë ndeshje. Në ndeshjen e kaluar ishte reagim dhe si futbollist e kuptoj që momentin kur je i kapur nga kundërshtari të vie inercioni për ta larguar. Por, ju siguroj se në momentin që largohesh nga një skuadër dhe shkon te tjetra mezi e pret momentin të përballesh me ish-skuadrën që ke kaluar vite atje dhe thjesht për të treguar veten se ke cilësi. E gjitha ishte rastësi dhe nuk ka vend për dyshime”, ka përfunduar Nuhiu.