​OAK kërkon nga kryeministri Hoti përkrahje urgjente për bizneset

 

Gjendja e rëndë e të bërit biznes, mospërkrahja e bizneseve nga ana e shtetit dhe nevoja emergjente për përkrahje të bizneseve ishte qëllimi i takimit të përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me Kryeministrin Avdullah Hoti dhe zëvëndëskryeminstrin Driton Selmanaj.

Gjatë këtij takimi përfaqësuesit e OAK-së së bashku me Kryeminstrin biseduan për detajet e pakos së rimëkëmbjes ekonomike, propozimet që oda ka përgatitur në konsultim me bizneset që përfaqëson, pengesat gjatë operimit, ngecjet në zhvillimin ekonomik, mungesa e ofertave për të bërë biznes për investitorët, operimi me vështirësi si rezultat i pandemisë dhe larg planifikimeve të bëra, si dhe rëndësia e ruajtjes së likuiditetit dhe ofrimi i përkrahjes për punëtorët.

Ndër të tjera u tha se në këtë periudhë pandemike disa nga nevojat emergjente të biznesit janë qasja në financa, subvencionimi i normave të interesit, shtyerja e kësteve të kredive pa interes dhe tatimeve edhe për tre muaj të tjerë, subvencionimi i pagave të punëtorëve, subvencionimi i qirave si dhe ofrimi i kredive për bizneset me grejsperiudhë deri në dy vjet, si disa nga masat mëse të nevojshme për tejkalimin e kësaj periudhe më të cilën po ballafaqohemi.

Nënkryetari i OAK-së Arsim Selmonmusaj ngriti si problematikë pikën 15 të vendimit të Qeverisë të miratuar në mbledhjen e 9të për ndërprerjen e aktivitetit në sektorin e identifikuar të institucioneve përkatëse të listuar sipas gjurmimit aktiv epidemiologjik, duke kërkuar ndryshimin e kësaj pike, meqë ky vendim është vështirë i realizueshëm dhe do të dëmtojë biznesin në nivel shumë të lartë.

Kurse anëtari i bordit Hamdi Malushaj veçoi qasjen e shtetit ndaj biznesit duke e cilësuar shumë të rëndësishme reformën, performancën dhe disiplinën në administratën shtetërore.

Disa nga propozimet e OAK-së për pakon e rimëkëmbjes e të cilat u shpalosën në takim përfshijnë: vazhdimi i subvencionimit të pagave të punëtorëve dhe qirave deri në fund të muajit shtator, përkrahja e prodhuesve vendor me subvencionim prej 10 % duke krijuar arkën patriot, subvencionimin e eksportit me 10 % të shumës, ulja e normës së interesit nga BQK që do të ndikonte edhe në ulje të interesit nga Bankat Komerciale, garantimi i kredive për bizneset duke alokuar 300 milionë euro në fondin për garanci kreditore, ulja e tvsh-së në turizëm dhe hotileri në 5 % etj.

Kryeministri Hoti falënderoi përfaqësuesit e OAK-së për kontributin e vazhdueshëm në fuqizimin e tregut të punës në Kosovë, duke u shprehur i hapur për të dëgjuar problemet e bizneseve dhe shqyrtuar se në çfarë masa mund të ofrojnë mbështetje, duke theksuar edhe mundësitë e kufizuara që kanë. Hoti veçoi rëndësinë e bashkëpunimit reciprok duke ftuar përfaqësuesit e bizneseve për të qenë pjesë e komisioneve vlerësuese të masave për mbështetje në mënyrë që situata aktuale të përballohet sa më lehtë.

Në këtë takim Oda e Afarizmit u përfaqësua nga Skënder Krasniqi kryetar i bordit, Arsim Selmonmusaj nënkryetar i bordit, Diamant Elshani sekretar i bordit, Hamdi Malushaj anëtar i bordit dhe Qendresa Ibrahimi koordinatore në OAK.

Ndërsa Kryeministri Avdullah Hoti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeminstri Driton Selmanaj dhe Këshilltari Gazmend Qorraj.

Back to top button