​Opozita kritikon Sveçlën: Nuk e ka prioritet reformën në administratën publike

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike Kosovës kanë kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla për mungesën e reformave në administratën publike.

Në interpelancën e sotme ndaj ministrit Sveçla në Kuvend, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se mungesa e ligjeve që prekin reformën në administratë publike paraqet dështimin total të Qeverisë Kurti në këtë fushë.
“Po e shohim një ministër që nuk e ka prioritet administratën publike, reformën e saj. Po shihet qartë se është një dështim total i kësaj qeverie hipokrite, por jo në aspektin vetëm të detyrave si ministër, por edhe vet në funkionimin e dy ministrive po vihet në diskutim”, ka thënë ai.
Kritik është shprehur edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu, i cili ka thënë se ministri Sveçla ka lënë në amulli të plotë shumë institucione.
“Ju jeni kujdesur që në ditën e para që menjëherë të anuloni krejt punën e grupit punues që kishte bërë për ndryshimet e Ligjit për zyrtarët publik, kryesisht ishin të bazuara në zbatimin e aktgjykimit dhe e shpërbëtë atë grup punues duke zbatuar një ekip tjetër për të nisur punën nga zero. Sidoqoftë, ju, jo vetëm që nuk keni arritur të bëni ndryshimet, madje ende se keni proceduar projekt rregulloren për rekrutim dhe pranim në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, të cilën e patën hartuar ekipin punues sa isha unë ministër. Në këtë mënyrë e keni lënë në amulli të plotë këtë sektor”, ka thënë ai.

Back to top button