Osmani e konsideron artificiale përplasjen Thaçi-Mustafa për Asociacionin

 

Deklaratat e fundit nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Vjosa Osmani po i konsideron si përplasje artificiale. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës sot tha se të dy e kanë përkrahur njëri tjetrin sa i përket marrëveshjeve që lidhen me asociacionin.

Osmani u shpreh se edhe në vitin 2013 kur është nënshkruar e ratifikuar pastaj në Kuvend marrëveshja, edhe në vitin 2015 kur është nënshkruar dokumenti për zbatimin e parimeve të asociacionit, Mustafa e Thaçi kanë qenë së bashku.

“Në të dyja rastet kanë qenë bashkë, e kanë përkrahur pak a shumë njëra tjetrën këto dy palë, sepse në vitin 2013 atëherë grupi parlamentar i LDK-së përkundër faktit që ka qenë në opozitë e ka përkrahur atë marrëveshje të nënshkruar nga Thaçi e cila me të drejtë thuhet ajo e ka themeluar asociacionin, unë para votuar kundër asaj marrëveshje dhe pikërisht themelimi i asociacionit ka qenë ndër arsyet, kurse më 2015 zoti Thaçi i rrinte prapa si një lloj miratimi nënshkrimit të zotit Mustafa të dokumentit të vitit 2015. Pra e kanë përkrahur njëri tjetrin në këto letra të nënshkruara dhe tani më duket si përplasje artificiale e cila nuk bazohet në fakte dhe të vërteta të cilat lehtë mund të dëshmohen”, tha ajo.

Osmani shtoi se pavarësisht deklarimeve, krijimi i asociacionit me kompetenca ekzekutive është rrezik për Kosovën.

Vjosa Osmani u përgjigj edhe për pjesëmarrjen e saj mbrëmë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në mes të kryeministrit Avdullah Hoti dhe amerikanit Adam Boehler, ku u bë edhe ndarja e Medaljes Presidenciale të Meritave nga presidenti Thaçi për ambasadorin Grenell.

“Jam ftuar nga pala amerikanë, por edhe nga zyra e Kryeministrit më pas në ceremoninë e cila ka pasur për qëllim që dy qeveritë të nënshkruajnë një deklaratë apo një zotim për një marrëveshje e cila në të ardhmen mund të negociohet dhe nënshkruhet e cila ka të bëjë me nxitjen e investimeve, me investimet amerikane në Kosovë. Por ajo e djeshmja ishte vetëm një deklaratë e natyrës politike kurse marrëveshja mund të diskutohet dhe nënshkruhet në të ardhmen, pra akoma nuk ka marrëveshje konkrete”, tha Osmani.

Pas mbledhjes së kryesisë, Osmani bëri të ditur se kryesia ka vendosur të ftojë në raportim kryeministrin Hoti për 100 ditëshin e qeverisë, ku ftesa pritet t’i bëhet gjatë javës së ardhshme.

Ndërsa, të premten pritet të mbahet seanca plenare e Kuvendit ku në rend dite do të jenë edhe ligji për rimëkëmbje ekonomike edhe ai për vlerat e luftës.

Back to top button