​Osmani pranoi Raportin e Progresit për Kosovën nga ambasadori Szunyog

 
Presidentja Vjosa Osmani sot ka pranuar Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog.
Osmani ka nënvizuar se Kosova e ka prioritet anëtarësimin në BE dhe se në këtë kontekst asgjë dhe askush nuk do të mund të ndalë vendosmërinë e institucioneve të vendit tonë për sundim të ligjit dhe për të mbrojtur integritetin e institucioneve.
Ajo më tej potencoi se në kuadër të kompetencave kushtetuese do të jetë garantuese e realizimit të këtyre prioriteteve, ashtu siç ka qenë edhe deri më tash.
Gjatë takimit, Osmani kërkoi sqarime për mos konsultimin e institucionit të Presidencës në fazën përpara para hartimit të raportit, siç janë konsultuar të gjitha institucionet e tjera dhe shoqëria civile. Ajo potencoi rëndësinë që raporti i ardhshëm të jetë gjithëpërfshirës dhe të reflektoj kontributin e Presidencës për arritjet gjatë periudhës raportuese.
Osmani ka vlerësuar se angazhimi në rritje i institucioneve të Kosovës për zbatimin e reformave evropiane duhet të përcillet me diskutime me institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së për fillimin e procesit të negociatave për anëtarësim në BE.
Ajo potencoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së, që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon.
Osmani ka mirëpritur rikonfirmimin e mbështetjes së KE-së për liberalizimin e vizave duke thënë se një gjë e tillë është thelbësore për ruajtjen e kredibilitetit të BE-së.

Back to top button