​Osmani takohet me mërgatën kosovare në Zvicër

 

Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, me ftesë të Parlamentit zviceran, po qëndron për një vizitë në vendin mik të Kosovës.

Ajo gjatë takimit me mërgatën kosovare theksoi rëndësinë e rolit të kësaj të fundit për zhvillimin e vendit tonë.

Osmani tha se bashkëpunimi me mërgatën kosovare shumë shpejt do të konkretizohet përmes projekteve të ndryshme.

” Nuk e përshkruaj dot me fjalë se çfarë nderi, privilegji e krenarie është të jesh në mesin e juristëve, mjekëve, shkencëtarëve, studiuesve, ndërmarrësve, artistëve, arkitektëve e profestionistëve të fushave nga më të ndryshme të cilët po shkëlqejnë në profesionet që kanë përzgjedhur e po japin kontribut të jashtëzakonshëm e përmbajtësor në shoqërinë zvicerane. Kishim aq shumë për të folur, por natyrshëm, fokusin e mbajtëm te diskutimi i mënyrave të bashkëpunimit ku mërgata jonë nuk shihet më vetëm si burim i remitencave, por si burim i ideve, kompetencës dhe profesionalizmit, e për të cilat vlera vendi ynë ka nevojë tani më shumë se kurrë. Të lësh vendin tënd për të shkuar në një vend të huaj e të përballen me sakrifica të shumta e gjithë familja – nuk është aspak e lehtë. Por, mërgatë e dashur, ju na keni dëshmuar që sakrifica e puna e drejtë shpërblehet gjithmonë me të mirë. Dashurinë e madhe e të pakusht që ju keni për Kosovën, do ta kthejmë shumë shpejt në partneritet strategjik e projekte e angazhim konkret”, shkroi Osmani.

Tutje ajo theksoi se u është mirënjohëse për këtë takim.

Back to top button