​Përfundon seanca në Hagë, dëshmitari i dhjetë do të dëgjohet edhe nesër

Ka përfunduar për sot seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Në Dhomat e Specializuara në Hagë është dëgjuar dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i njëjti do të vazhdojë dëshminë edhe nesër.
Dëshmitari i mbrojtur i ZPS-së është dëgjuar në seancë të mbyllur përveç një pjesë të shkurtër ku seanca ka vijuar e hapur për publikun.
Aty, dëshmitari me kodin W4674 ka thënë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një personi.
Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se i ka parë dy trupa të pajetë në një varr, por njërin e kanë lënë aty meqë sipas tij ishte person i panjohur.
Në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre nëntë dëshmitarë të ZPS-së, të gjithë të mbrojtur.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai është duke qëndruar në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Back to top button