​Podujeva e gatshme për fillimin e vitit shkollor, dezinfektimi i shkollave mbetet sfidë

 

Komuna e Podujevës është e gatshme që nga dita e hënë t’i hapë dyert e shkollave për nxënësit e kësaj komune. Por, sfiduese për këtë komunë pritet të mbetet dezinfektimi i hapësirave shkollore çdo ditë, ashtu siç ka paraparë ministria e Arsimit dhe Shkencës, si dhe ajo e Shëndetësisë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari tha se telashe për zbatimin e masave do të kenë më shumë në shkollat në qytet ku numri i nxënësve është më i madh, por siç tha ai, tashmë dezinfektimin është bërë dhe shenjat për distancë i kanë vendosur.

Me qëllim që të bëhet dezinfektimi i hapësirave shkollore, Rudari për Kp u shpreh se kanë shikuar mundësinë e një kontrate tjetër me një operator me qëllim që të bëhet dezinfektimi i shkollave.

“Sigurisht që kemi bërë planifikime që klasat e mëdha të ndahen në dy grupe dhe të shkurtohet koha, ora nuk do jetë 45 minuta, do të jetë më e shkurtër, por nuk do të ketë më shumë se 15 nxënës ashtu siç kërkojnë rekomandimet. Problem i veçantë do të jetë dezinfektimi i vazhdueshëm siç kërkohet me udhëzimet e ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, sepse komunat do ta kenë të pamundur që ta zëmë komuna e Podujevës i ka mbi 70 mijë metra katrorë hapësira shkollore dhe ajo kushton që çdo ditë të dezinfektohet kushton bukur shumë. Ne do të kemi një kontratë me një operator që bënë dezinsektimi, dezinfektimin dhe deratizimin, por kemi shikuar mundësinë që të bëhet një kontratë e veçantë vetëm më dezinfektimin e hapësirave”, tha Rudari.

Derisa tha se gjendja me COVID-19 në Podujevë tashmë ka nis të stabilizohet, nënkryetari i kësaj komune, i cili tashmë është duke e ushtruar detyrën e kryetarit, deklaroi se janë duke u munduar të sigurojnë buxhet shtesë për të blerë teste serologjike si komunë. Por, sipas tij përveç blerjes së këtyre lloj testesh, duhet të bëhen edhe përgatitjet në laboratorin mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.

“Më duket se deri tani për testet serologjike është 1 laborator i certifikuar dhe licencuar dhe ku po bëhen, dhe prapë ky testi i shpejtë dhe kryesor prapë ka mbetur barrë e QKMF-së që merren mostrat dhe dërgohen në IKSHPK…Sigurisht që jo të gjitha komunat do ta kenë këtë mundësi e kemi biseduar dhe jemi duke insistuar që të sigurojmë buxhet shtesë që laboratori i mjekësisë familjare në Podujevë e që është i pajisur mirë dhe disa laborantë veç se kanë qenë në Prishtinë për trajnime 1 ose 2 ditore që të fillojmë edhe ne me QKMF të fillojmë me këto shërbime…Besoj që nuk do të jetë problem vetëm aspekti financiar sepse komuna është e gatshme të ndaj buxhet, por janë edhe përgatitjet e laboratorit dhe të personelit që duhet të trajnohen në Prishtinë për të kryer këto testime”, tha Rudari.

Në këtë kohë pandemie, në disa fshatra të komunës së Podujevës janë mbyllur Qendrat e Mjekësisë Familjare. Këtë veprim u.d. të kryetarit të kësaj komune e arsyetoi duke thënë se stafi mjekësor i këtyre QMF janë zhvendosur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare me qëllim që të ofrohen më shumë kapacitete për t’u dalë në ndihmë pacientëve me COVID-19.

Ai po ashtu tha me stabilizimin e situatën me COVID-19, këto QMF do të rihapen.

“Në mënyrë që QKMF-ja në Podujevë të jetë me kapacitet të plotë për t’u ndihmuar këtyre pacientëve, ne i kemi zhvendosur një pjesë të personeli nga terren ku kemi vlerësuar ku statistikat tregojnë se ka pasur më pak kërkesa për shërbime për t’i sjell në QKMF dhe të jepen të gjitha shërbimet. E thash një prej arsyeve ka qenë edhe alokimi i katër ekipeve në pikën doganore në Merdare e që unë vlerësoj dhe e kam shprehur edhe në takime që ka qenë barrë e papërballueshme për QKMF që me katër ekipe të punoj me muaj të tërë e vetmuar pa mbështetje nga komunat tjera….Sigurisht ato vetëm përkohësisht e kanë zhvendosur aktivitetin e tyre në QKMF, por kryesisht kanë qenë ambulantë që kanë qenë me frekuentim më të vogël”, shtoi Rudari./kp

Back to top button