​Prokurori i Shtetit-Sveçlës: Ndjekja e rasteve penale s’është punë e Ministrisë së Brendshme

Prokurori i Shtetit ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se aksionin e sotëm me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në Shtërpce e më gjerë, po mundohet t’i jep karakter politik.

Sipas Prokurorit, hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit.

”Hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike. Ne e mirëkuptojmë vlerësimin që pushteti ekzekutiv ka filluar ta ketë për punën e Prokurorit të Shtetit, mirëpo ia u bëjmë të qartë se duhet të respektohet ndarja e pushteteve dhe kompetencat që secili institucion i ka. Në këtë kontekst, secili institucion duhet të sillet konform përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, pa u përzier në punët dhe kompetencat respektive”, është bërë e ditur në komunikatë.

Sipas Prokurorit, aksioni i ditës së sotme është punë dhe angazhim disavjeçar i Prokurorisë i mbështetur nga organet tjera ligjzbatuese, për më tepër është në vazhdën e përpjekjeve të Prokurorit të Shtetit për forcimin e sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre individëve që kryejnë vepra penale pavarësisht pozitës, funksionit apo etnisë që ata kanë.

Për këtë rast, janë bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione.
Lidhur me këtë, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka deklaruar se lufta kundër krimit do të shtrihet në të gjitha pjesët e Kosovës.
“Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës. Si Ministri e Punëve të Brendshme bashkë me Policinë e Kosovës, mbesim të përkushtuar të ofrojmë siguri, rend dhe ligj për gjithë qytetarët tanë. Shkelësit e ligjit do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Sveçla./21Media

Back to top button