​Punëtorët e “Ferronikel”-it protestojnë me helmeta në kokë e pankarta në duar

“Ka krizë energjetike, por ka edhe zgjidhje”, “Qeveri reflekto, dëgjo kërkesat tona”, “Nuk duam të jemi në rrugë, por në fabrikë”; janë thirrjet që po bëjnë punëtorët e “Ferronikel”-it në Drenas.
Nën organizimin e Sindikatës së Pavarur Punëtorëve, punëtorët me helmeta në kokë e pankarta në duar, po protestojnë para Qeverisë së Kosovës.
Ato po shprehin pakënaqësitë e tyre për një mijë punëtorët të cilët që nga 8 tetori janë pa punë.
Për shkak të krizës energjetike në Evropë dhe ngritjes së çmimeve të energjisë elektrike në tregjet globale, “Ferronikel” ka ndërprerë punën përkohësisht.
Përfaqësuesi i kësaj proteste, Rifat Latifi, tha se ndërprerja e punës së tyre ka gjeneruar edhe shumë probleme.
“Qeverisë iu kemi drejtuar katër herë me shkresa për mbështetje, për hulumtimin e mundësive për tejkalimin e kësaj situate. Por kemi mbetur pa përgjigje”, tha ai.
Më tej, punëtorët kërkuan nga përfaqësuesit e qeverisë që të takohen me ta para objektit të qeverisë.
“Është fakt se ‘Ferronikeli’ është privatizuar, por ne punëtorët nuk jemi të privatizuar. Ne jemi qytetarë të Kosovës dhe meritojmë trajtim nga qeveria”, tha një nga punëtorët.
Në rast se nuk gjejnë mbështetje nga institucionet, ata kanë paralajmëruar protesta jo paqësore.

Back to top button