​Qytetarët shpenzuan rreth 800 mijë euro për blerjen e remdesivirit

Në Klinikën Infektive për gjashtë muaj janë shpenzuar mbi 260 mijë euro për blerjen e remdesivirit. Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Auditimit, nëse 135 pacientë kanë blerë 11 injeksione me vlerën mesatare prej 180 euro, kanë shpenzuar këtë shumë, ndërkaq për një vjet rreth 800 mijë euro. Kështu thuhet në raportin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) të titulluar “Pse qytetarët u detyruan ta blejnë vetë Remdesivirin? – Si dështoi Ministria e Shëndetësisë për të siguruar Remdesivirin për pacientët e prekur me COVID-19?”.
Përdorimi i remdesivirit për trajtimin e pacientëve me COVID-19, u rekomandua përmes udhërrëfyesit Klinik për Menaxhimin dhe Trajtimin e COVID-19. Procedura emergjente u iniciua më 16 tetor të vitit 2020, ku dy kompani u ankuan dhe më pas tenderi është kthyer në rivlerësim.
Agon Hysaj nga KDI, tregoi se Ministria e Shëndetësisë e ka anuluar tenderin me arsyetimin se çmimi i remdesivirit në treg ka rënë, dhe se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që ky medikament nuk ka më efekt në trajtimin e virusit.
Sipas tij, gjatë kësaj kohe qytetarët kanë vazhduar të blinin vetë këtë produkt.
“Ka pasur edhe raportime në media pothuajse çdo ditë. Ku çmimi ka qenë 200 deri në 300 euro për një njësi. Interesant është ceket që edhe pse MSH-ja e ka anuluar tenderin, nuk ka pasur një komunikim institucional që t’u thuhet spitaleve që të mos vazhdohet të përshkruhet remdesivirin, pasi që përveç që tenderi është anuluar edhe OBSH nuk rekomandon që ai të përdoret. Por, e kundërta ka ndodhur. Tenderi është anuluar, ndërkaq spitalet kanë vazhduar që tu përshkruajnë pacientëve që ta blejnë vet në treg”, tha Hysaj.
Deputeti Bekim Haxhiu, ftoi qytetarët që të kërkojnë nga MSH-ja që t’u rimbursohen mjetet që kanë shpenzuar.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se më shumë se 500 mijë stoqe janë blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në atë kohë është thënë që të gjitha stoqet që kanë qenë diku, më shumë se 500 mijë stoqe janë blerë nga SHBA. Po flas për prodhuesin që ka qenë Gilead dhe ka qenë i licencuar edhe nga EMA. Sigurisht atëherë kanë filluar edhe prodhuesit tjerë, ku edhe Kosova e ka një dozë të rezervës në marrjen edhe trajtimin e barnave të tyre. Ne ju kemi përveshur punës në hartimin e Udhërrëfyesit Klinik, ka qenë një grup i profesionistëve të cilët në mënyrë efikase kanë arritur që të më bindin edhe mua, por edhe në trajtimin e saj që ta nënshkruajmë një udhërrëfyes të tillë i cili do të ndihmonte në aspektin ligjor”, tha Zemaj.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj tha se ende vazhdon të përshkruhet për përdorim remdesiviri.
Sipas tij, asnjëherë nuk është blerë remdesiviri nën 75 euro në tregun e Kosovës.
KDI-ja ka rekomanduar që Komisioni për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për pandeminë të jap llogari publike për mungesën e remdesivirit për aq kohë të gjatë. Po ashtu që Ministria e Shëndetësisë të krijojë mekanizma në mënyrë që të rritet bashkëpunimi ndërinstitucional, efikasiteti i menaxhimit të situatave emergjente që të mos ketë vendime kundërthënëse./21Media

Back to top button