​Shqipëri, 17 të vdekur nga COVID, 22-vjeç viktima me moshën më të re

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë kryer 3035 testime, nga të cilat kanë rezultuar me koronavirus 631 qytetarë, 17 persona të tjerë kanë vdekur dhe 714 janë shëruar.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 255 raste në Tiranë, 36 raste në Vlorë, 34 raste në Shkodër, 32 raste në Fier, 23 raste në Durrës, 17 raste në Korçë, 16 raste në Mirditë, 15 raste në Krujë, Lushnje, Kamëz, 14 raste në Elbasan, 13 raste në Lezhë, 11 raste në Kavajë, Librazhd etj.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 649 pacientë, 43 në terapi intensive, nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar.

Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 17 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 9 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Librazhdi, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Korça, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Lushnja, të moshave 22-89 vjeç.

Gjatë ditës së sotme janë kryer 702 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 21.613 vaksinime.

Që nga shpërthimi i epidemisë me koronavirus në Shqipëri janë konfirmuar gjithsej 114.840 raste pozitive, prej tyre 77.498 janë shëruar, 35.356 janë raste aktive, ndërsa betejën me sëmundjen e rrezikshme e kanë humbur 1.986 persona.

Back to top button