Akuzat për racizëm, mbretëresha Elizabet thyen heshtjen

 

Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elisabet II ka thyer heshtjen dhe ka reaguar pas intervistës së dukeshës Meghan Markle, e cila u shpreh se në shtëpinë mbretërore ka pasur biseda mbi ngjyrën e lëkurës së djalit të saj.

Në një deklaratë për mediat publikuar nga pallati Buckingham dhe që mban firmën e mbretëreshës thuhet se akuzat për racizëm do të trajtohen seriozisht dhe në mënyrë private.

“E gjithë familja është e shqetësuar, pasi mësoi sesa sfiduese kanë qenë vitet e fundit për Harry dhe Meghan. Çështjet e ngritura, veçanërisht ajo e racizmit, janë shqetësuese. Megjithëse kujtimet e gjithsecilit ndryshojnë nga njëri-tjetri, ato do të merren seriozisht dhe do të trajtohen privatisht nga familja mbretërore. Harry, Meghan e Archie do të mbeten gjithmonë pjesëtarë të dashur të familjes”, thuhet më tej në deklaratën e bërë publike.

Intervista televizive e Meghan dhe Harry dhënë për Oprah Wnfrey e ka futur monarkinë britanike në krizën e tyre më të madhe që nga vdekja e Lady Diana në 1997, kur familja, e udhëhequr nga mbretëresha Elizabeth II, u kritikua se reagoi shumë vonë.

Në intervistën që zgjati dy orë, Harry gjithashtu rrëfeu se babai i tij, trashëgimtari i fronit Princi Charles, e kishte zhgënjyer dhe e kishte lënë vetëm në jetën mbretërore./21Media

Back to top button