​Shqipëria bëhet anëtare e Konventës për etikën në Turizëm

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi se qeveria miratoi sot projektligjin me të cilin Shqipëria bëhet anëtare e Konventës kuadër për etikën në Turizëm.
“Konventa e propozuar 2 vjet më parë nga Organizata Botërore e Kombeve të Bashkuara për Turizmin, është e rëndësishme në kuptimin që përcaktohen disa standarde që kanë të bëjnë me etikën, që nga operatorët turistikë, sindikatat, deri tek shërbimet e ofruara nga shtetet palë të kësaj Konvente”, tha ajo.
“Sigurisht që ne krenohemi me shifrat e larta të viteve të fundit në turizëm, por nuk mund të mjaftohemi me aspektin sasior. Na duhet të ngremë lart cilësitë. Dhe të qenit palë e kësaj Konvente, është një detyrim për të gjithë operatorët në terren, që nga ata publikë deri tek sektori privat, për të respektuar disa standarde që kanë të bëjnë me profesionalizmin, por edhe disa standarde të tjera që bëhen të rëndësishme në këtë periudhën kovidiane, nëse mund ta quaj kështu, që ka dëmtuar mjaft sektorin e turizmit, duke komunikuar me të njëjtët kod normash dhe standardesh me vendet e tjera, ku dërgojmë turistë, ose prej të cilave marrim turistë”, tha Kumbaro.

Back to top button