​Sot rivarrosen mbetjet mortore të 7 personave të zhdukur

Sot rivarrosen mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, nga Masakra e Krushës së Vogël, me kërkesë të familjeve dhe me përkrahje institucionale, në përvjetorin e Masakrës së Krushës së Vogël.
Zyra e Kryeministrit informoi se në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në fshatin Krushë e Vogël, Komuna e Prizrenit, sot në orën 12:00 do të fillojë ceremonia e varrimit të shtatë viktimave të Masakrës së Krushës së Vogël:
Hysen (Maxhun) Zylfiu, viti i lindjes 1935, i zhdukur me datën 26.03.1999
Nue (Shyt) Prenkaj,  viti i lindjes 1960, i zhdukur me datën 26.03.1999
Sami (Aziz) Shehu,  viti i lindjes 1974, i zhdukur me datën 26.03.1999
Ahmet (Manush) Berisha, viti i lindjes 1938, i zhdukur me datën 26.03.1999
Nuredin (Qazim) Shehu, viti i lindjes 1927, i zhdukur me datën 26.03.1999
Skifter (Osman) Batusha,  viti i lindjes 1981, i zhdukur me datën 26.03.1999
Procedurat administrative të dorëzimit të mbetjeve mortore të të shtatë viktimave të luftës, që ishin në Listën e Personave të Zhdukur, siç u bë e ditur në komunikatë, u kryen dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Familjarët e personave të identifikuar u pritën në takim nga përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, zv.Drejtori i Përgjithshëm dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësues të EULEX-it dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Gjatë takimit të përbashkët, sipas Zyrës së Kryeminsitrit, theksua angazhimi i institucioneve dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në ndriçimin e së vërtetës dhe evidentimit institucional të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
“Familjarët u njoftuan për angazhimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur dhunshëm nga lufta në Kosovë, duke vënë theksin edhe në punën që aktualisht është duke u realizuar në procesin e ri-inventarizimit  të mbetjeve mortore të paidentifikuara deri më tani. U veçua angazhimi i vazhdueshëm dhe përpjekjet e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur.”, u bë e ditur në komunikatë./21Media

Back to top button